Rritet taksa e ndërtesës për pishinat dhe fushat sportive

Ndryshimet e reja të çmimeve të referencës pritet të rrisin deri në 47% detyrimin vjetor të taksës për pishinat, pistat dhe fushat sportive

Një projektvendim i Ministrisë së Financave, që propozon rritjen e çmimeve të referencës në rrethe, pritet të sjellë automatikisht një rritje të ndjeshme të taksës së ndërtesës për objekte të ndryshme, nga pishinat e hapura e deri te pistat sportive. Sipas skemës aktuale, ndërtesat që përdoren për banim taksohen me 0,05% të vlerës, ndërsa ato për qëllime tregtare me 0,2%. Përllogaritja e bazës taksueshme bazohet në çmimet e referencës së shitblerjes së apartamenteve sipas qyteteve.

Metodologjia e përcaktuar ndan kategoritë e ndërtesave në disa grupe, përfshirë hapësirat për banim, parkime të mbuluara apo të hapura, godina tregtare, objekte industriale, prodhimi dhe magazinimi, si edhe ndërtesat për veprimtari bujqësore e blegtorale. Në këtë listë përfshihen edhe ambientet sportive të hapura, pishinat, fushat e futbollit, basketbollit, volejbollit, tenisit, golfit, pistat e garave dhe portet apo aeroportet.

Çmimi i ndërtimit për këto hapësira të hapura llogaritet si 30% e çmimit të apartamenteve të banimit në zonën përkatëse. Formula e taksës është: (Çmimi fiskal x 30%) x sipërfaqja e ndërtimit x 0,2%. Me këtë llogaritje, ndryshimet e çmimeve të referencës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shumën përfundimtare të detyrimit vjetor.

Në Kavajë, ku aktualisht çmimi fiskal i apartamenteve është 51 mijë lekë/m², projektvendimi propozon ndarjen në 6 zona me çmime nga 51 mijë në 75 mijë lekë/m². Për një hapësirë sportive prej 250 m², detyrimi aktual prej 7,650 lekësh në vit do të rritet në 11,250 lekë, duke shënuar një shtesë prej 3,600 lekësh ose 47%.

Në Elbasan, çmimi i referencës është 50,300 lekë/m², ndërsa me ndarjen e re në 3 zona, zona 1 do të ketë çmim 60 mijë lekë/m². Një subjekt me pishinë të hapur apo pistë për kuaj me sipërfaqe 250 m² paguan sot 7,540 lekë në vit, por pas miratimit të ndryshimeve do të paguajë 9,000 lekë, një rritje prej 1,455 lekësh ose 19%.

Kjo logjikë e rritjes zbatohet njësoj për të gjitha kategoritë e ndërtesave që taksohen me 0,2% të vlerës së tyre. Sa herë që çmimet e referencës së apartamenteve të banimit ndryshojnë, detyrimi për taksën e ndërtesës pëson të njëjtën përqindje rritjeje.

Ekspertët e financave vendore paralajmërojnë se kjo rritje, edhe pse e lidhur drejtpërdrejt me çmimet e tregut, mund të rëndojë mbi subjektet që menaxhojnë hapësira sportive, pishina apo ambiente rekreative, duke ndikuar edhe te çmimet e shërbimeve që ofrohen për publikun.

Ndaj Postimin: