Bilanci i viktimave nga protestat e përhapura në Iran vijon të rritet, ndërsa situata në vend mbetet e tensionuar dhe e paqartë për shkak të kufizimeve të rënda në komunikim. Sipas të dhënave të përditësuara nga organizata që monitorojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, të paktën 544 persona kanë humbur jetën gjatë 15 ditëve të fundit të demonstratave kundër regjimit.
Mes viktimave raportohen edhe tetë fëmijë, ndërsa numri i personave të arrestuar dhe të dërguar në burgje ka kaluar shifrën 10,681. Arrestimet masive dhe përballjet e dhunshme me forcat e sigurisë kanë shënuar protestat që janë shtrirë në disa zona të vendit.
Situata është bërë edhe më e vështirë për t’u dokumentuar, pasi autoritetet kanë ndërprerë aksesin në internet dhe linjat telefonike për më shumë se 84 orë. Ky izolim informativ ka kufizuar ndjeshëm mundësinë për të pasur një pasqyrë të plotë mbi zhvillimet në terren dhe mbi numrin real të viktimave.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka reaguar ashpër ndaj mbështetjes ndërkombëtare për protestat, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Sipas deklaratave zyrtare, protestat dhe dhuna e shoqëruar me to konsiderohen si pjesë e një përplasjeje më të gjerë dhe si akt hakmarrjeje ndaj Iranit.
Autoritetet iraniane kanë theksuar se ngjarjet e fundit kanë sjellë humbje edhe mes forcave të sigurisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.