Sistemi energjetik në kaskadën e Drinit ka kaluar në fazën e shkarkimeve të kontrolluara, pas rritjes së ndjeshme të prurjeve në lumë. Nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës po lirohet aktualisht një sasi prej rreth 700 m³ ujë në sekondë, jashtë prodhimit normal të energjisë.
Procesi po administrohet nga ekipet teknike të hidrocentraleve, të cilat po monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit dhe ndikimin e tyre në zonat përreth, për të shmangur çdo situatë risku.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se strukturat vendore në Shkodër janë në komunikim të përhershëm me KESH-in, duke koordinuar veprimet për menaxhimin e prurjeve dhe mbrojtjen e territorit të bashkisë.
Sipas informacioneve zyrtare, deri në këtë fazë nuk janë evidentuar probleme apo pasoja negative, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga institucionet përgjegjëse.