Rreziku nga murtaja te bagëtitë e imëta, veterineri Rushan Vrapi bën thirrje për masa parandaluese në ferma

Murtaja te bagëtitë e imëta përhapet me shpejtësi dhe ka pasoja të rënda në rajon, por nuk transmetohet te njerëzit.

Mjeku veteriner Rushan Vrapi ka dhënë alarmin për përhapjen e murtajës tek bagëtitë e imëta në Shqipëri, duke theksuar se kjo sëmundje përbën një kërcënim serioz për blegtorinë. Sipas tij, rastet janë në rënie, por rreziku vijon të jetë prezent për shkak të natyrës së saj shumë ngjitëse.

Ai vuri në dukje se murtaja e bagëtive të imëta është një sëmundje akute virale, me një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përhapur në mënyrë të shpejtë dhe me një shkallë të lartë të vdekshmërisë. “Ka qenë një problem serioz për rajonin. Vetëm vitin e kaluar, Greqia është përballur me pasoja të mëdha. Sëmundja është e re dhe mund të ketë sëmundshmëri deri në 100% dhe vdekshmëri mbi 70%”, u shpreh Vrapi.

Ai sqaroi se aktualisht nuk ekziston një trajtim i specializuar për këtë virus, ndaj parandalimi është i vetmi mekanizëm mbrojtës. Infektimi ndodh kryesisht përmes kontaktit direkt me kafshët e sëmura, objekte të ndotura apo sekrecionet që ato nxjerrin.

Në këtë kuadër, ai u bëri thirrje fermerëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të evitojnë futjen e kafshëve të reja ose të personave të panjohur në fermat e tyre. Sipas tij, kjo është një masë e domosdoshme për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, e cila mund të rezultojë fatale për tufat e bagëtive.

Veterineri theksoi se sëmundja nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, por gjithsesi mishi i kafshëve të infektuara nuk duhet konsumuar në asnjë mënyrë. Ai rekomandoi që trupat e kafshëve të asgjësohen përmes groposjes në mënyrë të kontrolluar, sipas protokolleve veterinare.

Në përfundim, Vrapi bëri thirrje për vigjilencë të shtuar nga strukturat përgjegjëse dhe për informim të vazhdueshëm të fermerëve, në mënyrë që të parandalohet një rikthim i përhapjes së kësaj sëmundjeje me pasoja të rënda ekonomike dhe biologjike për blegtorinë shqiptare.

Ndaj Postimin: