Rreziku i TPO në manikyrin xhel

Bashkimi Evropian ka ndaluar përdorimin e TPO në kozmetikë për shkak të efekteve të rënda në fertilitet dhe sistemin nervor, duke i dhënë fund një praktike të përhapur në sallonet e bukurisë.

Prej 1 shtatorit 2025, në të gjitha vendet e BE-së ka hyrë në fuqi ndalimi i përdorimit dhe tregtimit të substancës TPO në produktet kozmetike. Ky përbërës, që përdorej kryesisht në manikyrin me xhel, shërbente për të shpejtuar tharjen dhe rritur qëndrueshmërinë, por studimet kanë treguar se sjell pasoja serioze për shëndetin.

TPO aktivizohej nën llampa UV ose LED dhe për shumë estetiste konsiderohej një ndihmës i domosdoshëm në procesin e tharjes. “Ai ndihmonte që xheli të thahej më shpejt dhe polarizohej menjëherë,” – shprehet estetistja Viola Çela, e cila shton se manikyri me xhel, tipsa apo dizajne të tjera kërkojnë kohë të ndryshme pune sipas kërkesës së klientëve.

Sipas Komisionit Evropian, TPO është kategorizuar si substancë me toksicitet të lartë, duke prekur sistemin nervor dhe atë riprodhues. Testimet në kafshë zbuluan lidhje të qarta mes ekspozimit ndaj këtij përbërësi dhe uljes së fertilitetit. Për këtë arsye u vendos ndalimi i menjëhershëm si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Nuk është i gjithë xheli i rrezikshëm, por vetëm një përbërës specifik,” – shpjegon Çela. Sipas saj, klientet rikthehen zakonisht çdo tre deri në katër javë për të rinovuar thonjtë, ndërsa grupmosha që i përdor më shpesh këto trajtime është 18-35 vjeç, periudha më aktive për riprodhim.

Megjithatë, estetistja shton se në sallone shkojnë edhe gra mbi 40 vjeç që e preferojnë për praktikën, si dhe vajza të reja që shpesh kërkojnë dizajne të gjata dhe tipsa. Ky përdorim masiv rrit rrezikun tek grupet më të ndjeshme ndaj problemeve të fertilitetit.

BE ka nisur tashmë zëvendësimin e TPO me një tjetër substancë të quajtur TMO. Por në Shqipëri ende mungojnë masa konkrete për të ndaluar përdorimin e tij. Ekspertët theksojnë se autoritetet duhet të ndërhyjnë urgjentisht, pasi ky problem lidhet direkt me sigurinë shëndetësore të qindra mijëra përdorueseve në vend.

Ndaj Postimin: