Rreth 12% e 762,740 pensionistëve në vend kanë mbetur jashtë skemës së bonusit mujor gjatë muajit janar 2026, sipas të dhënave zyrtare. Konkretisht, 672,982 pensionistë kanë përfituar bonusin, ndërsa afro 90 mijë të tjerë nuk janë përfshirë në skemë, duke mos marrë asnjë shtesë për këtë muaj.
Mungesa e përfitimit për janarin 2026 ka prekur veçanërisht pensionistët që tejkalojnë kufijtë e vendosur nga skema aktuale. Mbi 36 mijë qytetarë me pension mbi 40 mijë lekë nuk janë kualifikuar për bonusin. Këtij grupi i shtohen edhe rreth 54 mijë pensionistë të tjerë që janë penalizuar për shkak të kritereve dhe tavaneve të përcaktuara.
Si funksionon skema
Bonusi prej 1,800 lekësh në muaj u jepet pensionistëve urbanë me vite të plota pune, të cilët nuk përfitojnë më shumë se 40 mijë lekë pension në muaj. Pensionistët urbanë me pension të pjesshëm përfitojnë 800 lekë, nëse pensioni i tyre nuk kalon 22 mijë lekë.
Për pensionet rurale, përfitimi i bonusit prej 1,000 lekësh kushtëzohet nga një tavan prej 18 mijë lekësh në muaj. Aplikimi i këtij kufiri ka sjellë edhe përfitime të pjesshme. Për shembull, një pensionist rural që merr 17,500 lekë përfiton vetëm 500 lekë bonus, pasi përfitimi i plotë do ta tejkalonte kufirin prej 18 mijë lekësh.
Nga përfituesit e muajit janar 2026, vetëm 33% kanë marrë bonusin maksimal prej 1,800 lekësh, ndërsa pjesa tjetër ka përfituar shuma më të ulëta.
Reagimi i qeverisë
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se fondi për pensionistët synon mbështetjen e atyre me të ardhura më të ulëta dhe se skema do të rishikohet në kuadër të reformës së sigurimeve shoqërore.
Sipas deklarimeve zyrtare, kompensimi do të vijojë për pensionet deri në 40 mijë lekë në muaj, ndërsa fashat dhe masa e përfitimit mund të ndryshojnë në varësi të inflacionit, qëndrueshmërisë financiare dhe rekomandimeve të ekspertëve.
Ndërkohë, qeveria ka parashikuar edhe shpërblimin e fundvitit për pensionistët, i cili pritet të përfshihet në paketën e akteve që do të miratohen brenda vjeshtës së këtij viti.
N&Gj