Një rrëshqitje e konsiderueshme dheu dhe shkëmbinjsh ka ndodhur në segmentin rrugor Qukës–Qafë Pllocë, në zonën pranë tuneleve, duke shkaktuar bllokim të plotë të qarkullimit.
Sipas burimeve nga terreni, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar shkëputjen e një mase të madhe mali, e cila ka mbuluar pjesën kryesore të rrugës.
Ekipet e kompanisë mirëmbajtëse kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke punuar për pastrimin e materialeve të rrëshqitura dhe duke hapur një rrugë alternative provizore (bypass) për të mundësuar kalimin e automjeteve në mënyrë të përkohshme.
Ky është incidenti më serioz i shkaktuar nga rrëshqitjet e fundit në këtë aks, i cili prej disa ditësh është nën ndikimin e kushteve të vështira atmosferike.
Autoritetet bëjnë të ditur se punimet për pastrimin dhe stabilizimin e terrenit vijojnë, ndërsa u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e sinjalistikës rrugore.


