Rreshjet rikthehen me intensitet, IGJEO paralajmëron rrezik në Vlorë, Gjirokastër dhe Vjosë

Pas një periudhe të shkurtër qetësie, reshjet e dendura pritet të rikthehen sërish gjatë orëve të mbrëmjes së së enjtes, duke përfshirë disa qarqe të vendit. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO), sipas të cilit situata mund të bëhet problematike në zonat jugore dhe qendrore të vendit.

Qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës do të përballen me reshje intensive që lokalisht mund të arrijnë nivele shumë të larta. Në qarqet Shkodër, Korçë dhe Berat reshjet do të jenë mesatare deri intensive, ndërsa në pjesën tjetër të territorit parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me stuhira,” deklaroi Anira Gjoni, specialiste pranë IGJEO-s.

Instituti paralajmëron se rreziku më i madh mbetet në lumin Vjosë, i cili mund të dalë nga shtrati për shkak të rritjes së prurjeve dhe intensitetit të reshjeve që do të vijojnë gjatë gjithë ditës së premte. Problematikë paraqesin edhe lumenjtë Seman dhe Shkumbin, ku pritet rritje e niveleve të ujit si pasojë e reshjeve të fundit.

Gjatë fundjavës, sipas parashikimeve, një front i ftohtë ajror do të përfshijë vendin, duke sjellë ulje të temperaturave dhe reshje dëbore në veri. “Në zonat malore temperaturat do të zbresin deri në -3 gradë. Dëborë do të ketë në Alpe dhe veri-lindje, në lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, përfshirë Thethin dhe zonat malore të Kukësit,” tha Gjoni.

Ekspertët theksojnë se nëntori mbetet muaji më i lagësht i vitit, me rreth 70% të reshjeve vjetore, duke e konsideruar situatën aktuale si normale për këtë periudhë. “Ajo që ishte anormale ishte mungesa e reshjeve më herët gjatë vitit,” u shprehën specialistët e IGJEO-s.

Sipas parashikimeve, deri në fund të nëntorit reshjet do të jenë të pranishme në të gjithë vendin, por me intensitet në rënie.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033