Një atmosferë madhështore po përgatitet për festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Rrëshen, ku një flamur gjigand me përmasa 800 metër katrorë dhe 5000 flamuj të vegjël do të zbukurojnë një segment prej 1 kilometri në hyrje të qytetit.
Ky dekor unik, plot ngjyra kombëtare, pritet të ngjallë emocione të forta dhe krenari tek banorët dhe vizitorët.
Këto aktivitete po organizohen nga Shoqata Kombëtare për Unitet dhe Bashkim Kombëtar, e cila është e njohur për nismat e saj mbresëlënëse në promovimin e vlerave kombëtare. Në këtë kuadër, shoqata ka ekspozuar edhe një flamur tjetër, me përmasa 30 metra katrorë, mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Fier-Vlorë, duke tërhequr admirimin dhe duartrokitjet e qytetarëve të shumtë.
Kronikë
Sipas kreut të Shoqatës, Kristaq Ziu, festimet e këtij viti në Mirditë do të jenë edhe më të veçanta. Ndër pjesëmarrësit e këtyre aktiviteteve pritet të jenë 100 trupa të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe shumë patriotë të ardhur nga diaspora për të kremtuar këto ditë të shënuara.
Në një deklaratë për mediat, Ziu theksoi se Mirdita është përzgjedhur me kujdes për këtë organizim, për shkak të historisë së saj si një krahinë qëndrestare dhe simbol i mbrojtjes së vlerave kombëtare. Ai vuri në dukje se kjo traditë qëndrese fillon që nga koha e Skënderbeut, duke bërë që Mirdita të përfaqësojë një lidhje të fuqishme me identitetin dhe historinë shqiptare.
Dekorimi me flamuj dhe pjesëmarrja e një numri kaq të madh patriotësh nga treva të ndryshme dhe diaspora, krijon një ndjenjë uniteti dhe bashkimi kombëtar, duke sjellë në fokus rëndësinë e këtyre festave për shqiptarët kudo që janë.
Rrësheni po bëhet një pikë e veçantë për festimet e këtij viti, duke treguar se kombi shqiptar është i bashkuar në respektimin e historisë dhe heronjve të tij. Organizime të tilla jo vetëm që rikujtojnë të kaluarën, por edhe frymëzojnë brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe promovuar krenarinë kombëtare.