Rrëmbimi në maternitet: Çifti rrëmben foshnjën dhe përpiqet të arratiset

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kozenca të Italisë, ku një çift ka rrëmbyer një foshnjë të porsalindur nga materniteti.

Ngjarja, që ka shqetësuar familjen dhe opinionin publik, u zgjidh brenda disa orësh falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Sipas raportimeve, një grua hyri në dhomën ku ndodhej foshnja dhe nëna e saj, duke u prezantuar si infermiere pediatrike. Gruaja pretendoi se foshnja duhej çuar për një kontroll te pediatri. Në atë moment, në dhomë ndodheshin edhe gjyshja e foshnjës, e cila nuk dyshoi në pretendimet e saj.

Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan gruan duke u larguar me foshnjën në krahë, ndërsa bashkëshorti i saj priste në korridor. Çifti u përpoq ta vendoste foshnjën në një karrocë, por pa sukses. Ata e morën foshnjën me vete në krahë dhe u larguan nga spitali.

Rrëmbimi u zbulua kur nëna dhe gjyshja u alarmuan nga vonesa e kthimit të foshnjës. Policia ndërhyri menjëherë, duke vendosur postblloqe në daljet e qytetit. Pak orë pas rrëmbimit, policia arriti të lokalizojë makinën e çiftit dhe të shpëtojë foshnjën, e cila iu kthye familjes së saj, e sigurt dhe e pa dëmtuar.

Hetimet zbuluan se çifti rrëmbyes, një grua 51-vjeçare nga Kozenca dhe burri i saj 43-vjeçar me origjinë senegaleze, kishin inskenuar një shtatzëni të rreme. Ata kishin njoftuar të afërmit për ardhjen në jetë të një djali dhe kishin dekoruar banesën për të festuar lindjen. Pasi rrëmbyen foshnjën, ata e veshën atë me rroba djali.

Pronari i klinikës ku ndodhi ngjarja pranoi se procedurat e sigurisë ishin të pamjaftueshme. Ai theksoi se ngjarja ka nxitur institucionin të rishikojë masat e sigurisë, duke përfshirë verifikimin e dokumenteve të personave që hyjnë.

Falë bashkëpunimit të shpejtë mes stafit të spitalit dhe autoriteteve, incidenti përfundoi pa pasoja tragjike. Çifti rrëmbyes u arrestua dhe do të përballet me akuzën e rrëmbimit. Ngjarja ka ngjallur debat mbi sigurinë në institucionet shëndetësore dhe ka shokuar komunitetin vendas.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera