Propozimi i Arsen Venger për ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje pritet të revolucionarizojë futbollin dhe të ndryshojë mënyrën si luhet loja në çdo nivel.
Një ide e re e quajtur “Ligji Venger” po bën bujë në botën e futbollit. Ish-trajneri legjendar francez, Arsen Venger, i cili sot mban rol drejtues në FIFA, ka propozuar ndryshime rrënjësore në rregullin e pozicionit jashtë loje. Sipas tij, loja do të bëhet më dinamike dhe më e pasur me gola nëse përkufizimi aktual ndryshon.
Sipas propozimit, një lojtar do të konsiderohej në pozicion jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij do të ishte përtej vijës së fundit të mbrojtësit. Kjo do të lejonte më shumë hapësira për sulmuesit dhe do të rriste ndjeshëm mundësitë për shënime spektakolare, duke sjellë një revolucion taktik në mënyrën e lojës.
Ekspertët e futbollit ndërkombëtar janë të ndarë. Disa e shohin këtë si një mundësi për ta bërë futbollin më emocionues, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se do të shkaktojë kaos në sistemet mbrojtëse dhe do të kërkojë përshtatje të menjëhershme të ekipeve. Megjithatë, Venger është i bindur se ky ndryshim është i domosdoshëm për t’i dhënë sportit një frymë të re.
Propozimi pritet të diskutohet fillimisht në Këshillin e Futbollit në FIFA, ku Venger ka përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e lojës. Nëse miratohet, çështja do të kalojë në mbledhjen e përgjithshme të IFAB – organi që përcakton rregulloret ndërkombëtare të futbollit – e cila do të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Sipas ish-gjyqtarit të njohur spanjoll, Iturralde Gonzalez, rreth 95% e propozimeve që arrijnë deri në IFAB zakonisht marrin dritën jeshile. Ai shton se në rast miratimi, “Ligji Venger” do të hyjë në një fazë testimi në ndeshje të niveleve të ulëta përpara se të zbatohet në turne madhore.
Megjithatë, disa zëra brenda komunitetit sportiv paralajmërojnë se FIFA mund të shpejtojë procesin për ta provuar rregullin e ri që në Botërorin e ardhshëm. Një vendim i tillë do të sillte ndryshime drastike në strategjitë e skuadrave dhe do ta bënte çdo ndeshje shumë më të paparashikueshme.
Nëse kjo nismë miratohet, futbolli i së nesërmes do të jetë shumë ndryshe nga ai që njohim sot — më i shpejtë, më spektakolar dhe me më pak ndalesa për “offside”, por edhe me më shumë debat për drejtësinë e lojës moderne.