Rrafshimi i kodrës në fshatin Mifol për mbushjen e sipërfaqes së terminalit të aeroportit të Vlorës është kryer pa leje urbanistike nga Bashkia Vlorë. Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga vetë institucioni vendor pas kërkesës për informacion.
Kompania “2A Group”, aksionere në minorancë e shoqërisë koncesionare që po ndërton aeroportin e Vlorës, ka transportuar në fund të muajit janar sasi të konsiderueshme dherash nga zona kodrinore e Mifolit për nevojat e projektit.
Në përgjigjen zyrtare, Drejtoria e Urbanistikës pranë Bashkisë Vlorë sqaron se nuk ka lëshuar asnjë leje apo autorizim për gërryerje terreni apo marrje dherash në këtë zonë.
Ky qëndrim vjen pas denoncimeve publike për dëmin mjedisor të shkaktuar në terren, ndërkohë që ndërhyrja është kryer pa dokumentacionin përkatës urbanistik dhe pa leje mjedisore.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndërhyrë duke pezulluar punimet në Mifol, pasi konstatoi mungesën e lejes mjedisore nga ana e kompanisë.
Çështja ngre pikëpyetje mbi mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes në projektet e mëdha infrastrukturore, veçanërisht kur ato lidhen me investime strategjike si aeroporti i Vlorës.