Procesi i rivlerësimit të pronave ka nisur pas një pritjeje dyvjeçare, por aplikimi po shoqërohet me probleme teknike si për vlerësuesit, ashtu edhe për qytetarët.
Sipas vlerësuesit të pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu, që në fazën e parë u evidentuan ndërprerje të platformës dhe paqartësi në procedurat elektronike. Ai thekson se sistemi ka pasur mosfunksionime të herëpashershme, duke krijuar radhë pritjeje dhe pasiguri për përdoruesit.
Edhe kur dokumentacioni është i plotë dhe tarifat janë paguar, aplikantët nuk po arrijnë të finalizojnë procesin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Sipas Demirxhiut, kjo situatë detyron qytetarët të përsërisin hapa të caktuar, duke shtuar kohën dhe kostot e procedurës.
Interesi për rivlerësimin e pronave është i lartë dhe pritet të rritet sa më shumë që afrohet afati përfundimtar. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë nevojën që sistemi të funksionojë pa ndërprerje dhe institucionet të ofrojnë udhëzime të qarta për aplikuesit.
Procesi i rivlerësimit do të jetë i hapur deri më 31 dhjetor 2026. Të drejtën për ta kryer kanë individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme të regjistruara, si dhe ata që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë brenda këtij viti.