Ristrukturimi në Bashkinë Lushnjë, ndryshim, pritshmëri dhe pikëpyetje!

Në kuadër të procesit të riorganizimit dhe vlerësimit të performancës, Bashkia Lushnjë ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në drejtimin e rajoneve dhe qendrave administrative.

Një pjesë e drejtuesve janë shkarkuar nga detyra, ndërsa janë emëruar figura të reja, me synimin për të rritur efikasitetin dhe përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Ndryshimet e bëra përfshijnë:

  • Allkaj: largohet Bujar Kollulli, emërohet Marjola Todri
  • Fier-Shegan: largohet Teodor Murati
  • Karbunarë: largohet Denada Senka, emërohet Nexhmie Arapi
  • Dushk: largohet Afrim Dedej, emërohet Bruno Vrapi
  • Golem: largohet Alush Sinani, emërohet Orest Sulevari
  • Ballagat: largohet Neritan Myftari, emërohet Anxhela Laboti

Në Bubullimë dhe Kolonjë, drejtuesit aktualë, Artan Mino dhe Arber Abdurrahmani, janë rikonfirmuar në detyrë, pavarësisht ankesave për performancë nga komuniteti. Kjo situatë nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e qendrave administrative, por prek edhe drejtorët që kanë drejtuar drejtoritë kyçe në institucionet e Bashkisë Lushnjë. Kjo duhet të shërbejë si një kambanë alarmi edhe për nënkryetarët që rehatohen nën kolltukun e karriges institucionale.

Megjithatë, kjo lëvizje ka hapur shumë pikëpyetje. Qytetarët pyesin: a do të ketë vetting për të larguarit? A do të kontrollohen të emëruarit? A është ky një riformatim real i administratës apo thjesht “lyerje me bojë pas shiut”?

Mbetet për t’u parë nëse ky proces do të thellohet edhe në drejtori të tjera, ku drejtues me vite të tëra në poste kyçe vazhdojnë të qëndrojnë pa dhënë llogari, ndonëse performanca e tyre lë për të dëshiruar.

Një administratë funksionale nuk ndërtohet thjesht me emërime, por me transparencë, vlerësim real dhe përgjegjësi. Dhe këtë, qytetarët e Lushnjës e presin prej kohësh.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: