Risi në Bujqësi: Fermerët e Zharrëzës përdorin Pjalmimin me Bletë për Prodhim Cilësor

Për herë të parë këtë sezon, fermerët e Zharrëzës në Patos po përdorin teknikën e pjalmimit me bletë për të rritur prodhimin e domates. Vladimir dhe Rajmonda Hoxha, një çift fermerësh që u kthyen nga emigrimi, kanë aplikuar këtë teknikë inovative tek domatet e kultivuara në sera. Ata presin që ky metodë të sjellë një përmirësim në cilësi dhe sasi, duke shpresuar të mund të eksportojnë prodhimin në tregjet ndërkombëtare.

Vladimir dhe Rajmonda, që u kthyen në Shqipëri 10 vjet më parë, kanë ngritur dy sera me një sipërfaqe mbi 5 dynym, ku kultivojnë domate, speca dhe kunguj. Për herë të parë këtë vit, ata kanë vendosur të aplikojnë tekniken e pjalmimit me bletë në serat e tyre. Deri tani, ata janë të kënaqur me rezultatet, por është ende herët për të vlerësuar plotësisht efektet, pasi do të shihen më qartë në muajin qershor, gjatë vlejes së domateve.

Rajmonda Hoxha tregon se kjo metodë e pllenimit ka përfitime të dukshme. “Sot, domatja që kemi mbjellë duket më e mirë, sepse po e bejmë me bletë. Bleta kryen pllenimin natyral, dhe nuk përdorim më hormone. Bletën e kemi vendosur këtu mes domateve dhe ajo bën që domatet të jenë më cilësore, të mbajnë ngjyrën dhe të mos verdhen,” shprehet ajo. Sipas Rajmondës, kjo metodë jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e cilësisë, por gjithashtu përmirëson pamjen e domateve.

Vladimir Hoxha, nga ana tjetër, thekson se varieteti i domates ‘vitara’ është shumë i kërkuar në tregun europian. “Kjo serë është mbjellë me domate ‘vitara’, e cila tërhiqet shumë në treg. E kemi mbjellë në 14 janar dhe vazhdon të rritet, duke pasur mundësi për të marrë prodhimin që nga 30 qershori,” thotë ai. Ata shpresojnë që prodhimi i këtij viti të eksportohen në tregje ndërkombëtare, duke e rritur kështu të ardhurën e tyre.

Për t’u përballuar me punën, çiftit Hoxha i është dashur të punësojë dy punëtorë, pasi sipërfaqja e tyre është mjaft e madhe. “Kam 2 dynym me domate dhe 3 dynym me speca. Speci i kuq është në lulëzim, por të bësh speca të kuq ka shumë mundim dhe çmimi është shumë i ulët,” shprehet Vladimir. Ai kërkon më shumë mbështetje nga shteti, veçanërisht për gjetjen e tregut për prodhimet bujqësore.

Një nga sfidat më të mëdha që hasin fermerët është çështja e tregut. Edhe pse shteti i ka ndihmuar me subvencione për naftën, fermerët kërkojnë mbështetje më të madhe për gjetjen e tregjeve dhe për përmirësimin e çmimeve për produktet e tyre. “Shteti na ka ndihmuar me naftë, por duhet të na ndihmojë edhe për gjetjen e tregut,” thotë ai.

Patosi është një zonë e njohur për prodhimin e perimeve në sera, ku aktualisht ka rreth 260 fermerë që kultivojnë domate, speca dhe kultura të tjera bujqësore. Rritja e prodhimit dhe përmirësimi i cilësisë, si dhe aplikimi i metodave të reja si pjalmimi me bletë, janë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori dhe për konkurimin e prodhimeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: