Rishikimi i strukturës së pagave dhe puna në distancë (smart working), prioritetet e administratës

Qeveria ka bërë të ditur se pas rritjes së pagave në administratën publike, fokusi kryesor do të jetë rishikimi i strukturës së saj, duke u bazuar në ligjin “Për nëpunësin civil”.

Kjo qasje përfshihet në “Draft Strategjinë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2024-2030”, e cila synon përmirësimin e kushteve të punës dhe tërheqjen e profesionistëve të rinj.

Një nga aspektet kryesore të reformës do të jetë ndryshimi i strukturës së pagave, duke integruar kritere motivuese të performancës. “Krahas rritjes së pagave, do të ndryshohet edhe struktura e shpërblimit financiar përmes amendimeve në ligjin nr. 152/2013, duke e lidhur atë më ngushtë me performancën individuale dhe institucionale,” thuhet në dokument.

Një tjetër prioritet i strategjisë është rritja e transparencës mbi pagat dhe shpërblimet në administratë. Drafti parashikon publikimin e detajuar të përfitimeve financiare për çdo punonjës, si dhe përfshirjen e informacionit mbi pagën e pritshme në njoftimet për pozicionet vakante. Kjo masë synon të forcojë besimin në procesin e rekrutimit dhe të tërheqë kandidatët më të kualifikuar.

Një tjetër element i rëndësishëm i strategjisë është modeli i punës hibride, i cili do të kombinojë punën në zyrë me atë në distancë. “Për të rritur motivimin e nëpunësve publikë, do të zbatohet një model fleksibël pune, duke përcaktuar qartë modalitetet e tij për të siguruar efikasitetin maksimal,” theksohet në dokument.

Përveç punës hibride, administrata po shqyrton edhe mundësinë e shkurtimit të orarit për disa pozicione specifike, me synimin për të tërhequr profesionistë nga sektori privat dhe individë që nuk mund të punojnë me kohë të plotë. Kjo qasje synon të krijojë një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale për nëpunësit.

Draftstrategjia e re pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si funksionon administrata publike, duke e bërë atë më transparente, më tërheqëse për talentet e reja dhe më të përshtatur ndaj modeleve moderne të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera