PD dhe PS humbin respektivisht 113 dhe 110 vota pas rinumërimit në Tiranë, procesi vijon për zonën e Kasharit
Procesi i rinumërimit të votave të 11 majit për qarkun e Tiranës vijon në ambientet e Pallatit të Sportit “Farije Hoti”, ku po verifikohen votat në disa zona të kryeqytetit. Pas përfundimit të rinumërimit për zonën e Paskuqanit, vëmendja është zhvendosur tek kutitë e Kasharit, ku procesi ende është në vijim.
Gazetari Ergys Gjençaj raportoi se rinumërimi ka nxjerrë në pah mospërputhje mes rezultatit fillestar dhe atij aktual, duke çuar në humbje votash për dy partitë kryesore në vend. Bëhet fjalë për Partinë Socialiste dhe koalicionin Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Sipas të dhënave zyrtare, PD ka rezultuar me 113 vota më tepër në numërimin fillestar, të cilat iu hoqën gjatë rinumërimit. Nga ana tjetër, edhe PS ka pasur një tepricë prej 110 votash, të cilat po ashtu janë korrigjuar në procesin e tanishëm.
Këto mospërputhje kanë ngritur pyetje mbi saktësinë e numërimit të parë dhe kanë theksuar rëndësinë e monitorimit të çdo etape zgjedhore. Rinumërimi po kryhet në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të palëve politike.
Për çdo fletë votimi që paraqet mosdakordësi apo kontestim, procedura parashikon dërgimin e saj në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili merr vendimin përfundimtar për vlefshmërinë ose pavlefshmërinë e saj.
Procesi pritet të zgjasë deri në verifikimin e plotë të të gjitha kutive të zonës, ndërsa pritet me interes për të parë nëse do të ketë ndikim të ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të qarkut Tiranë.