Në burgun e famshëm të Gjirit të Guantanamos, rreth 68 persona mbahen aktualisht nga ushtria amerikane, në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur Departamentin e Sigurisë Kombëtare në realizimin e dëbimeve masive.
Komandanti i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara, i cili mbikëqyr bazën detare amerikane në Kubë, informoi ligjvënësit për shifrën e përditësuar të të ndaluarve. Sidoqoftë, ai nuk mundi të dha detaje lidhur me kostot e rritjes së numrit të individëve që mbahen në këtë burg.
Admirali Alvin Holsey njoftoi se këto përpjekje përfshijnë ndalimin e individëve të cilët janë cilësuar nga autoritetet amerikane si “të huaj kriminalë me rrezikshmëri të lartë”. Ai theksoi se planifikohen të mbahen deri në 30,000 emigrantë jo të dhunshëm, të cilët pritet të deportohen, por theksoi se kjo do të varet nga fluksi i emigrantëve që do të mbërrijnë. Komanda e Transportit e Ushtrisë amerikane ka realizuar disa fluturime të emigrantëve, përmes avionëve ushtarakë, duke transportuar 10-15 të ndaluar në secilën fluturim.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, vizitoi burgun dhe mbikëqyri transferimin e disa të paraburgosurve, duke i përshkruar ata si “vrasës dhe anëtarë të bandave të egra”. Sipas saj, disa nga emigrantët që janë dërguar në Guantanamo kanë pranuar autorësinë e vrasjeve, ndërsa të tjerë janë në kërkim për vepra të tjera penale, përfshirë sulme dhe trafik armësh.
Një zyrtar i paidentifikuar bëri të ditur se të gjithë individët në burgun e Guantanamos kanë marrë urdhrin përfundimtar të dëbimit, por informacionet lidhur me akuzat e saktë ndaj tyre mbeten të padisponueshme për publikun. Në anën tjetër, organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave ligjore të të paraburgosurve. Ato kanë paraqitur një padi kundër Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke pretenduar se të burgosurve u është mohuar e drejta për të komunikuar me avokatët.
Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) ka kundërshtuar ashpër këtë praktikë dhe ka bërë thirrje që sundimi i ligjit të respektohet për të gjithë individët, përfshirë emigrantët. Juristët e ACLU-së e konsiderojnë dërgimin e emigrantëve në një vend të shkëputur dhe të izoluar si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe si një sinjal të administratës për pasigurinë e procesit të drejtësisë.
Sipas padisë, një nga paditësit mësoi se vëllai i saj ishte dërguar në Guantanamo, dhe u trondit kur mësoi se ai akuzohej për lidhje me bandën venezueliane “Tren de Aragua”. Megjithatë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare i hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ekziston një sistem për të mundësuar kontaktin e të paraburgosurve me avokatët, dhe se organizatat e të drejtave të njeriut po mbrojnë kriminelët e rrezikshëm.
Ndërkohë, e ardhmja e këtyre të paraburgosurve mbetet e pasigurt, dhe proceset ligjore që mund të ndodhin në gjykata mund të kenë ndikim në përfundimin e këtij gjendjeje të pasigurt për ata që mbahen në këtë burg të famshëm.