Rikthimi i kujtimeve të dhunës në shkollë, ja se si rrëfehen personat e pyetur në Francë

Të rritur sot, disa ish-nxënës tregojnë momentin kur, vite më vonë, u përballën papritur me personin që i kishte bullizuar në shkollë, duke rikthyer frikën, turpin dhe plagët e heshtura.

Në Ditën Kombëtare të Luftës kundër Bullizmit në shkolla, disa ish-viktima tregojnë historinë e takimit të papritur, vite më pas, me bullizuesit e tyre. Ata u ndeshën rastësisht në rrugë, në punë, apo edhe pranë një pompe karburanti, duke sjellë në sipërfaqe kujtime që ata mendonin se i kishin lënë pas, raporton franceinfo.

Psikologia klinike Line Mourey shpjegon se truri e ka të vështirë të dallojë rrezikun e kaluar nga ai real. “Reagimet emocionale rikthehen menjëherë: frikë, turp, zemërim. Por të folurit për atë që ka ndodhur, mund të ndihmojë për të rimarrë kontrollin e historisë suaj,” thotë ajo. Megjithatë, psikologia shton se nuk është e sigurt që bullizuesi të ketë ndryshuar apo të jetë gati të kërkojë falje.

Pauline*, sot 46 vjeçe, ishte në një tren midis Lilles dhe Calais kur pa vajzën që e kishte tallur dhe dhunuar në shkollë: fyerje, përçmime dhe fletore të grisura. Këtë herë, bullizuesja kërkoi falje dhe pranoi sjelljen e saj. Pauline thotë se kjo e ndihmoi të kuptonte se vuajtja e saj ka qenë reale, dhe jo “teprim”, siç ia kishin thënë dikur edhe prindërit. Por ndaj bullizueses kryesore, Pauline thotë se ende nuk do të ishte e aftë t’i qëndronte përballë.

Audrey, 40 vjeçe, u përball me një nga djemtë që e kishte shpifur dhe poshtëruar në gjimnaz, këtë herë në punë, në një spital. Takimi i parë i shkaktoi ankth, por ajo vendosi ta përballte. Ai kërkoi falje menjëherë. Audrey e kuptoi se raporti i forcës kishte ndryshuar: ajo ishte në karrierë në mjekësi, ndërsa ai punonte si ndihmës-sanitar. “Nuk ishte çështje përçmimi, por thjesht kuptova se jeta mund të marrë drejtime të ndryshme,” thotë ajo.

Pierre*, 54 vjeç, pa rastësisht në një dyqan mobiljesh në Bretanjë djalin që e kishte goditur dhe poshtëruar gjatë studimeve. Ai nuk iu afrua. “Nuk më njohu, por unë pashë se nuk kisha më frikë,” thotë ai. Për të, mjaftoi fakti që nuk u ndje më i nënshtuar, por i barabartë.

Anne-Béatrice, sot 67 vjeçe, e pa bullizuesin e saj të kopshtit, atë që e poshtëronte para të gjithëve. E përballi me zemërim, por ai nuk e mbante mend fare. “Ky ishte moment i rëndë: unë e mbaja peshën e kujtimit, ai jo,” thotë ajo. Megjithatë, ajo ndjeu se një barrë emocionale ishte larguar.

Muriel, 61 vjeçe, jetonte në Australi kur u ndesh me vajzën që e kishte bullizuar në shkollë. Por këtë herë nuk pati as falje e as reflektim. Ish-bullizuesja e ofendoi sërish, pa asnjë hezitim. Për Muriel, kjo riktheu dhimbjen e hershme dhe e bëri të pyesë veten pse urrejtja kishte mbetur kaq e fortë.

Të gjithë këta njerëz, megjithëse të rritur dhe të formuar, tregojnë se plagët e bullizmit në fëmijëri nuk zhduken lehtë. Por ata gjithashtu tregojnë se përballja, qoftë me dialog apo heshtje, mund të sjellë një kuptim të ri mbi veten.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033