Ushtria izraelite ka njoftuar se ka rikthyer trupin e Ran Gvilit, pengut të fundit izraelit që mbahej në Rripin e Gazës, duke i dhënë fund një operacioni kërkimi që zgjati disa muaj.
Ran Gvili, oficer policie dhe pjesëtar i njësisë elitare Yamam, u vra gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe trupi i tij u dërgua në Gaza. Kërkimet për gjetjen e eshtrave të tij vijuan edhe pas nisjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në tetor.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se rikthimi i trupit përmbush angazhimin për kthimin e të gjithë pengjeve, duke e cilësuar operacionin si një sukses të jashtëzakonshëm. Ushtria izraelite bëri të ditur se me këtë operacion është përmbyllur procesi i rikthimit të të gjithë pengjeve nga Gaza.
Nga ana tjetër, Hamasi deklaroi se gjetja e trupit dëshmon respektimin e detyrimeve të marrëveshjes së armëpushimit. Rikthimi i Gvilit heq një nga pengesat kryesore për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Faza e dytë e marrëveshjes parashikon rindërtimin e Gazës, vendosjen e një administrimi të ri dhe çmilitarizimin e territorit, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze.
Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, rreth 1.200 persona u vranë në Izrael dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, fushata ushtarake izraelite që pasoi ka shkaktuar mbi 71.600 viktima palestineze.