Rikonstruksioni në Kasharaj nuk zgjidh katastrofën e kanalizimeve

Bashkia Lushnjë feston rikonstruksionin në Kasharaj, por Përroi i Lushnjës, Krutja dhe Dushku vijojnë me ujëra të zeza, erë të rëndë dhe derdhje në kanalin e Emisarit, një krizë sanitare e mbuluar me propagandë.

Sot gazetari Ndriçim Gjoshi raportoi nga terreni për një rikonstruksion në rezervuarin e Kasharajt nga ana e bashkisë Lushnje, dhe ne si TV nuk mund ta linim pa raportuar se i themi të bardhës, e bardhë, dhe ku ka problematika nuk kemi pse i fshehim.

Punimet në rezervuarin e Kasharajt shiten si “siguri hidroteknike”, por realiteti në terren është i zhveshur: Përroi i Lushnjës mbart periodikisht ndotje, Krutja ka denoncime të përsëritura për shërbime të prishura, ndërsa në Dushk ujërat e zeza dokumentohen me video teksa derdhen në kanale kulluese. Kjo nuk është anomali sezonale; është menaxhim i dështuar.

Në Dushk, banorët por gjithashtu edhe deputeti Erion Braçe, kanë filmuar dalje të ujërave të zeza pranë infrastrukturës së pompimit. Në Krutje, kryeplakë dhe banorë kanë denoncuar kaos në shërbimet e ujit dhe kanalizimeve. Përroi i Lushnjës, arteria urbane, shpesh kthehet në tub të hapur ndotjeje, duke rritur rrezikun për sëmundje dhe duke cenuar tokat përreth.

Kanali i Emisarit (i njohur nga banorët si “Misar”) është bërë dalje e ndotjes: kur kolektorët urbanë dështojnë, ndotja përfundon në rrjetin kullues që çon ngarkesën e fekaleve drejt fushave. Kjo është kërcënim mjedisor, jo “përmirësim i shpërndarjes së ujit për vaditje”.

Në vend të transparencës dhe matjeve periodike të cilësisë së ujit, institucionet preferojnë parulla. UK Lushnjë sh.a. dhe Bashkia Lushnjë duhet të publikojnë menjëherë planin e mirëmbajtjes 2023–2025, në mbështetje të Strategjisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, 2023-2030, listën e defekteve për Përroin/ Krutjen/ Dushkun, akt-konstatimet e derdhjeve të paligjshme dhe masat ndëshkuese. Pa këto, çdo fjali për “afate, efikasitet, cilësi” mbetet fasadë komunikimi.

“Siguria hidroteknike” në Kasharaj ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me: pastrim të kolektorëve urbanë, mbyllje fizike të derdhjeve në Dushk e përgjatë Përroit, rehabilitim të rrjetit në Krutje dhe monitorim laboratorik të kanalin e Emisarit. Deri atëherë, investimi në Kasharaj është poster marketingu që mbulon një dështim strukturor.

Banorët mund ta “mirëpresin” çdo ndërhyrje, por fotografia e ditës është një: qytetarët filmojnë ujëra të zeza që derdhen në sipërfaqe, ndërsa bashkia raporton punime “me intensitet”. Administrim do të thotë tubacione funksionale dhe matje të publikuara, jo statuse triumfaliste.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033