Rikonstruksioni i Manastirit të Shën Mërisë në Ardenicë, një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Tërmeti i disa viteve më parë ka shkaktuar dëme të mëdha në shumë banesa dhe biznese, por një ndër objektet që ka pësuar dëmtime të rëndësishme ka qenë edhe muri mbrojtës i Manastirit të Shën Mërisë në Ardenicë, Lushnje.

Ky monument, që është i vetmi i këtij lloji në zonën e Myzeqesë, ka një rëndësi të veçantë kulturore dhe historike. Duke u nisur nga vlera e tij, si objekti më i vjetër fetar në këtë zonë, dhe interesimi i Bashkisë së Lushnjës, për të ruajtur dhe restauruar këtë trashëgimi, së fundmi, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka ndarë një fond prej 4.7 milionë lekësh për rikonstruksionin e manastirit, raporton gazetarja Mukades Dervishi.

Përparësitë e punimeve të planifikuara përfshijnë përforcimin e murit mbajtës që ka pësuar dëme nga tërmeti, si dhe vendosjen e pilotave natyralë për të siguruar stabilitetin afatgjatë të objektit. Një nga elementët e tjerë të rëndësishëm është mbjellja e pemëve të tipit selvi, të cilat do të ndihmojnë në forcimin e strukturës. Po ashtu, do të bëhet shtrimi i dyshemeve me pllaka, duke e zëvendësuar betonin aktual, dhe riparimi i brendshëm i dhomave sipas modelit Bizantin të kishës, për të ruajtur autenticitetin e saj.

Përveç këtyre punimeve, specialistët kanë menduar edhe për restaurimin e mureve të plasaritura dhe spërkatjen e ambjenteve të jashtme për eliminimin e barërave dhe mbushjen e hapësirave me elementë natyralë që do të kontribuojnë në bukurinë e manastirit. Ky rikonstruksion synon jo vetëm ruajtjen e identitetit të objektit, por gjithashtu rikthimin e pamjes origjinale të tij, duke u dhënë mundësinë besimtarëve dhe turistëve të vizitojnë një pjesë të historisë fetare dhe kulturore të Myzeqesë.

Manastiri i Shën Mërisë në Ardenicë nuk është i vetmi monument fetar që po rikonstruktohet në këtë periudhë. Dy javë më parë ka filluar puna edhe për rikonstruksionin e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Bishqethëm, një tjetër monument i kategorisë së parë, i ndërtuar rreth vitit 1198. Ky projekt është një hap i madh në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka një rëndësi të veçantë për historinë e Myzeqesë, e cila, ndonëse ka një pasuri të jashtëzakonshme historike, ka qenë për shumë vite e lënë pas dore.

Përveç rikonstruksionit të këtyre dy objekteve, ka shpresa që dhe Kisha e Shën Todrit në Kadipashaj të përfitojë nga një projekt i ngjashëm. Specialistët kanë ngritur alarmin për gjendjen e keqe të këtij objekti, i cili po shkon drejt rrënimit. Nëse ky rikonstruksion do të realizohet, ai do të plotësojë një cikël të rëndësishëm restaurimi për objekte të tjera fetare dhe kulturore të Myzeqesë.

Në një kohë kur Myzeqeja po merr më shumë vëmendje dhe përkujdesje, rikonstruksioni i manastireve dhe kishave ka një ndikim të jashtëzakonshëm në turizmin kulturor. Të tilla projekte do të ndihmojnë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, por gjithashtu do të rrisin interesin e turistëve, të cilët janë gjithnjë e më shumë të tërhequr nga historia dhe arkeologjia e këtij rajoni. Ky është një hap i rëndësishëm për ringjalljen e interesit të publikut për trashëgiminë kulturore të Myzeqesë, e cila ka qenë për shumë vite e harruar dhe lënë pas dore.

Ndaj Postimin: