Rezultatet e para të zgjedhjeve në komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut

VLEN merr epërsi në disa komuna shqiptare, ndërsa AKI ruan bastionet tradicionale me fitore të drejtpërdrejta në disa zona kyçe.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar numërimin e pjesës më të madhe të votave në komunat me shumicë shqiptare, duke dhënë një panoramë të qartë për garën politike mes koalicioneve kryesore. Rezultatet paraprake tregojnë një ndarje të dukshme të mbështetjes mes VLEN-it dhe koalicionit AKI të udhëhequr nga BDI.

Në Çair, Izet Mexhiti ka siguruar fitoren në raundin e parë, duke konsoliduar pozitat e VLEN-it në një nga komunat më të rëndësishme të Shkupit. Suksese të tjera për këtë koalicion janë shënuar nga Daut Beqiri në Haraçinë, Daut Memishi në Tearcë dhe Muhamed Elmazi në Saraj, të cilët kanë fituar gjithashtu pa pasur nevojë për balotazh.

Ndërkohë, AKI ka arritur të mbajë bastionet e saj tradicionale me fitore të qarta në Likovë, Pllasnicë dhe Çashkë, duke ruajtur ndikimin e saj në disa prej zonave kyçe të votës shqiptare.

Në Tetovë, gara mbetet e hapur mes Bilall Kasamit dhe Bajram Rexhepit, që do të përballen në balotazhin e ardhshëm. Në komunën e Bërvenicës, prin Haqim Ramadani nga VLEN, i cili do të garojë në raundin e dytë me kandidatin e OBRM-PDUKM-së, Jovica Ilievski.

Gostivari ka shënuar një tjetër rezultat interesant, ku Valbon Limani i AKI-së ka dalë fitues, ndërsa në Dibrë dhe Zhelinë kanë kryesuar përkatësisht Fisnik Mela dhe Blerim Sejdiu nga VLEN. Në Kërçovë, kandidati i OBRM-PDUKM-së, Aleksandar Jovanovski, shkon në balotazh me Fatmir Deharin e AKI-së.

Në Strugë, Mendi Qyra nga VLEN do të përballet në raundin e dytë me Arsim Dalipin e AKI-së, ndërsa në Studeniçan, kandidati i pavarur Azem Sadiku do të ketë përballë Ejup Abazin e BDI-së. Për disa komuna, si ajo e Vrapçishtit, zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme për shkak të mosarritjes së censusit.

Rezultatet paraprake të KSHZ-së mbeten në proces verifikimi, por tendenca e përgjithshme tregon një garë të fortë mes dy blloqeve shqiptare, me VLEN që fiton terren në disa zona urbane dhe AKI që ruan pozitat në komunat tradicionale të saj.

Ndaj Postimin: