Qeveria parashikon miratimin brenda këtij viti të ligjit për krijimin e rezervës shtetërore të naftës dhe nënprodukteve të saj, me synim garantimin e furnizimit në raste krizash.
Drafti, i cili ka përfunduar fazën e konsultimit publik gjatë verës 2025, pritet të miratohet në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026. Sipas parashikimeve, rezerva do të duhet të garantojë furnizim për të paktën 90 ditë në rast mungese në treg.
Detajet mbi sigurimin e sasisë së naftës dhe mënyrën e përdorimit të saj do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa rezervat do të krijohen në bazë të një Plani Veprimi.
Menaxhimi dhe shitja e rezervës do t’i besohet një enti publik të ri, Autoritetit për Rezervën e Sigurisë të Naftës, i cili do të jetë përgjegjës për blerjen dhe tregtimin e naftës dhe nënprodukteve.
Për krijimin e rezervës parashikohet vendosja e një tarife të re për importuesit e produkteve energjetike hidrokarbure, e cila do të llogaritet në lekë për litër ose kilogram dhe do të rishikohet çdo vit me VKM. Tarifa do të mblidhet nga autoritetet doganore në funksion të autoritetit të ri.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë importuar rreth 720 mijë tonë karburant. Aktualisht, për çdo litër naftë paguhen katër taksa: 20% TVSH (35 lekë), 38.8 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi dhe 3 lekë taksë karboni.