Rezervat e arit në nivel rekord, Banka e Shqipërisë përfiton nga rritja globale e çmimit

Vlera e arit monetar të Bankës së Shqipërisë arrin 313 milionë euro, për shkak të çmimit në rritje në tregjet ndërkombëtare

Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rekord historik në vlerën e rezervave të arit monetar, të cilat në fund të muajit prill 2025 arritën në 313 milionë euro. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se sasia fizike e rezervës së arit mbetet e pandryshuar në 109 mijë onz ose rreth 3.4 tonë, e njëjta sasi e regjistruar edhe në fund të vitit 2023. Rritja e vlerës lidhet ngushtësisht me ecurinë pozitive të çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare.

Në prill, një onz ar është këmbyer mesatarisht me 285 mijë lekë, ndërsa në mes të qershorit vlera ka arritur në 289 mijë lekë. Rritja e çmimit me 32% përputhet me rritjen e përgjithshme të vlerës së rezervës së arit në valutë.

Blerja e fundit e arit nga Banka e Shqipërisë është realizuar në shkurt të vitit 2023, kur Këshilli Mbikëqyrës vendosi të shtojë rezervën me 28 lingota, me një total prej 11,200 onz ose afërsisht 0.35 tonë.

Aktualisht, ari përbën rreth 4.7% të vlerës totale të rezervës valutore të vendit. Kjo peshë ka shënuar rritje të lehtë në krahasim me një vit më parë, kur ari zinte 4.3% të rezervës, dhe shumë më tepër krahasuar me dy vite më parë.

Në shkurt 2025, totali i mjeteve valutore të Bankës së Shqipërisë arriti në 6.73 miliardë euro, një rritje prej 7.4% që nga fillimi i vitit dhe 23.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kontribut të madh në këtë rritje kanë dhënë blerjet e mëdha të valutës nga tregu vendas gjatë vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, banka ka blerë 933 milionë euro, me një rritje prej 249% krahasuar me vitin paraardhës.

Gjithashtu, emetimi i Eurobondit të fundit nga qeveria shqiptare në pjesën e parë të vitit, me një vlerë prej 650 milionë eurosh, ka shtuar ndjeshëm rezervën valutore, duke sjellë një mbështetje të mëtejshme për stabilitetin financiar të vendit.

Ndaj Postimin: