Revista e njohur Time ka zgjedhur “Arkitektët e Inteligjencës Artificiale” si Personazhin e Vitit për 2025, duke nënvizuar ndikimin e pakrahasueshëm që kjo teknologji ka në shoqërinë moderne.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë nuk është përzgjedhur një individ i vetëm, por një grup liderësh që kanë luajtur rol qendror në zhvillimin dhe drejtimin e inteligjencës artificiale. Në kopertinë shfaqen figura të njohura si Jensen Huang i Nvidia, Mark Zuckerberg i Meta, Elon Musk i platformës X dhe studiuesja Fei Fei Li, e njohur gjerësisht si një nga pionieret e IA.
Vendimi i Time vjen në një periudhë ku Inteligjenca Artificiale po përjeton një zgjerim të shpejtë, i nxitur nga futja e Chat GPT në fund të vitit dy mijë e njëzet e dy. Sam Altman ka deklaruar se mjeti përdoret çdo javë nga rreth tetëqind milionë njerëz.
Kompani të mëdha të teknologjisë po investojnë miliarda në zhvillimin e IA dhe në infrastrukturën që e mbështet atë, me synimin për të ruajtur avantazhin ndaj konkurrentëve. Për këtë vit, revista ka publikuar dy kopertina të veçanta, një që i kushtohet artistikisht konceptit të inteligjencës artificiale dhe tjetrën që paraqet liderët që po formësojnë këtë epokë të re.
Kryeredaktori i Time, Sam Jacobs, tha se asnjë grup tjetër nuk ka pasur një ndikim më të madh në vitin dy mijë e njëzet e pesë se ata që “imagjinojnë, projektojnë dhe ndërtojnë inteligjencën artificiale”.
Analistët e shohin vitin dy mijë e njëzet e pesë si një pikë kthese në adoptimin e IA në jetën e përditshme. Gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin chatbotë për të kërkuar informacione, për të planifikuar udhëtime, për të gjetur dhurata apo për të provuar receta, duke e zhvendosur fokusin nga motorët tradicionalë të kërkimit dhe rrjetet sociale.


