Restoranti Britanik rindez debatin për picën me ananas me çmimin ekstrem

Një restorant në Britani ka rikthyer një nga debatet më të nxehta në botën e gastronomisë: duhet apo jo ananasi mbi picë?

Restoranti “Lupa Pizza” në Norwich ka vendosur një çmim simbolik, por edhe provokues, prej 100 paundësh (rreth 120 euro) për një picë me ananas, duke e quajtur këtë një zgjedhje për “njerëz përbindësha”.

Zakonisht, picat në këtë restorant shiten me çmime dhjetë herë më të ulëta, por një nga pronarët, ka shprehur hapur neverinë e tij ndaj këtij kombinimi. Duke folur për mediat lokale, ai pranoi se nuk e duronte dot picën me ananas dhe vendosi ta përfshinte në menu me një çmim absurd për të dekurajuar blerësit.

Pica kontroverse është përfshirë në shërbimin e shpërndarjes “Deliveroo”, ku përshkrimi i saj vjen me një mesazh ironik: “Po, për 100 paund mund ta kesh. Porosit edhe shampanjën. Vazhdo, përbindësh!”. Ky qëndrim ka nxitur reagime të shumta, si nga dashamirësit e picës me ananas, ashtu edhe nga ata që e konsiderojnë këtë kombinim një fyerje kulinare.

Debati për picën me ananas nuk është i ri. Kjo recetë, e cila u krijua në vitet ‘60, ka ndarë gjithmonë opinionet mes atyre që e pëlqejnë dhe tradicionalistëve që e konsiderojnë një shkelje të rregullave të kuzhinës italiane.

Në vitin 2017, pica napolitane u përfshi në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit nga UNESCO, një njohje që synonte të mbronte traditat e përgatitjes së picës origjinale. Për shumë italianë dhe puristë të picës, shtimi i ananasit mbi brumin napolitan mbetet një sakrilegj i vërtetë.

Megjithatë, përkundër kritikave, pica me ananas vazhdon të jetë një nga kombinimet më të njohura dhe të kërkuara në mbarë botën. Restoranti britanik mund të ketë vendosur një çmim absurd për këtë variant, por ndoshta kjo lëvizje ka shërbyer më shumë si një fushatë marketingu për të tërhequr vëmendjen dhe për të nxitur debatin.

Për sa kohë që ekziston dashuria për picën, beteja mes puristëve dhe eksperimentuesve të shijeve do të vazhdojë. Dhe me siguri, pavarësisht çmimit, dikush do të jetë gati të paguajë për të provuar këtë “herezi” gastronomike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera