Trashësia e dëborës në njësitë administrative Dardhas, Trebinjë dhe Velçan ka kaluar mbi 20 centimetra, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullimin rrugor. Mjetet e vogla nuk mund të lëvizin, ndërsa qarkullimi në akset rurale kryhet vetëm me automjete të larta dhe zinxhirë.
Në disa segmente rrugore situata është rënduar edhe nga rrëshqitjet e dherave. Aksi rural Kalivaç–Dunicë në njësinë Trebinjë është i bllokuar, ndërsa rruga e fshatit Zall Torrë në njësinë Proptisht mbetet e pakalueshme. Rrëshqitje janë evidentuar edhe në Slabinjë dhe Selishtë, si dhe në rrugën rurale të fshatit Laktesh në njësinë Velçan.
Në fshatrat më të thellë të njësisë Dardhas, konkretisht në Niçë, Osnat, Stërkanj, Dërdushë dhe Lekas, lëvizja e mjeteve bëhet vetëm me përdorimin e zinxhirëve.
Autoritetet raportojnë se janë dërguar mjete për pastrimin e borës dhe hapjen e rrugëve, por ndërhyrja për eliminimin e rrëshqitjeve masive të dherave mbetet e vështirë për shkak të kushteve të motit.