Reportazhi i francezëve: Në Sazan, në ishullin e Trampit

E përjavshmja franceze “Le Point” i kushton një reportazh të gjatë investimeve të dhëndrit të Trump në Shqipëri dhe Serbi dhe tregon se si zbarkoi Jared Kushneri në Sazan


Reportazh i të dërguarit special të “Le Point” në Shqipëri dhe Serbi, Romain Gubert.

Është një parajsë. Një copëz e vogël guri e vendosur mbi detin Adriatik. Ishulli shqiptar i Sazanit është mbretëria e gjarpërinjve, cicërimave, zogjve dhe madje, thuhet, edhe disa arinjve që jetojnë mes livandës së egër dhe pishave treqindvjeçare. Në verë, disa skafe të vegjël “Zodiac” sjellin turistë nga Vlora, qyteti bregdetar më i afërt. Dy orë not në një plazh të gjatë, pastaj lundrim drejt shpellës së Haxhi Aliut, një pirat i cili, në shekullin XVII, fshehu aty arkat e tij me monedha ari. Një lloj katedrale detare që është bërë strehë e breshkave të detit.

Prej disa muajsh, ai është quajtur “ishulli i Trump”. Një vend i çuditshëm ku është e ndaluar të shëtisësh jashtë plazhit të madh. Për gjashtëdhjetë vjet, Sazani ka qenë një bazë sekrete ushtarake, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa bunkierë të rrënuar dhe mijëra mina. Enver Hoxha ishte veçanërisht paranojak. Diktatori komunist, që sundoi Shqipërinë për gati katër dekada, kishte frikë nga zbarkimi i italianëve, jugosllavëve, amerikanëve dhe madje edhe rusëve (për një kohë të gjatë kishte qenë aleat i kinezëve). Ai kishte vendosur aty ushtrinë e vet të vogël. Kur regjimi u rrëzua në fillim të viteve 1990, Sazani u bë një tokë askujt. Ishulli i fundit i pabanuar i Adriatikut.

Dashuria me shikim të parë e Ivanka Trump-it dhe Jared Kushner-it për Sazanin është pothuajse tashmë pjesë e historive lokale. Kjo ndodhi katër vjet më parë. Çifti po kalonte pushimet në Greqi bashkë me fëmijët. Në Tiranë, ku ëndërrohet ndërtimi i hoteleve luksoze (numri i turistëve është trefishuar në dhjetë vjet), u shfrytëzua menjëherë rasti.

Auron Tare, një ish-arkeolog, i emëruar disa muaj më parë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të Shqipërisë, përgatiti një vizitë disa-ditore për çiftin Trump–Kushner dhe investitorë të tjerë. Një helikopter dhe një jaht madhështor u vunë në dispozicion të grupit.

Auron Tare i njeh të gjitha vendet më të bukura. Ai u tregon vilën e mrekullueshme që ka ndërtuar George Tenet. Ai organizon një drekë në restorantin më të mirë të peshkut në zonë, me mikpritës ish-bashkëlojtarin e tij të basketbollit, Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Në pushtet që prej vitit 2013, Rama është plot humor dhe njohës i mirë i Donald Trump-it.

Operacioni është i përkryer. Ivanka Trump dhe Jared Kushner flasin hapur për atë çfarë mund të bëjnë me këtë ishull që Shqipëria është gati t’ua japë. Ata angazhojnë arkitektë dhe avokatë. Vitin pasues, Jared Kushner kthehet në Shqipëri. Me partnerët e tij, ai është gati të investojë më shumë se 1 miliard dollarë, jo vetëm në Sazan, por edhe në gjirin përballë, në një sipërfaqe të madhe toke në veri të Vlorës.

Vitin e kaluar, në dhjetor, një muaj pas rizgjedhjes së Donald Trump-it si president, Kushner nënshkruan një parakontratë për një qira 99-vjeçare.


Kushner në Ballkan

Në të vërtetë, Kushner nuk e ka zbuluar rajonin rastësisht. Një nga njerëzit e tij në Ballkan quhet Richard Grenell. Ai ishte ambasador amerikan dhe i dërguar i posaçëm në Serbi dhe Kosovë. Grenell ka negociuar edhe blerjen e një blloku ndërtesash në qendër të Beogradit, ish-selia e shtabit të ushtrisë serbe, e bombarduar në 1999 nga NATO.

“Kulla Trump” pritet të bëhet hotel luksoz, qendër tregtare dhe apartamente të shtrenjta.

Projekti ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në Serbi. Për të lejuar zhvillimin, u votua një ligj special që i hoqi godinës statusin e mbrojtjes kulturore.


Zërat kritikë

Avokatja Katarina Kostic shprehet:

“Projekti i kullës Trump është mohimi i historisë sonë. Kjo meritonte debat publik.”

Radovan Kupres, themelues i një OJQ-je për transparencë politike, thotë:

“Problemi nuk është familja Trump, por klasa jonë politike. Gjithçka bëhet nën dorë.”

Deputeti Robert Kozma deklaron:

“Vuçiç po luan poker me pasuritë kombëtare.”

Ai përmend edhe vendimin e fundit të SHBA-ve për tarifat doganore dhe sanksionet ndaj Serbisë.


Reagime nga Shqipëria: Zogj, aeroplanë dhe beton

Joni Vorpsi, studiues i migrimit të shpendëve, tregon me shqetësim hartën e korridoreve të migrimit:

“Laguna e Vlorës është etapë kyçe. Urbanizimi i rajonit është katastrofë për natyrën.”

Aktivisti Olsi Nika shprehet për aeroportin e Vlorës:

“Po shkojmë kundër historisë për një grusht dollarësh.”


Në zyrat e Tiranës

Në katin e 9-të të Silver Tower, Elira Kokona drejton agjencinë që menaxhon asetet e shtetit për investitorët:

“Vendi është i varfër dhe kemi shumë për të rifituar kohën e humbur.”

Ajo është e ngarkuar edhe me dhënien e Sazanit për Kushner-in dhe shpjegon se negociatat janë profesionale, me avokatë dhe bankierë.

Sipas saj, deri tani ka komunikuar vetëm me “Brian”, përfaqësuesin e Kushner-it. Dhëndrin e Trump-it e ka takuar vetëm një herë.

“Ishte një takim korrekt, i sjellshëm.”

Ndaj Postimin: