Reshjet e shiut dhe të borës kanë përfshirë qarkun e Kukësit, duke shkaktuar rrëshqitje gurësh në disa segmente rrugore malore, ndërsa autoritetet kanë bërë apel për kujdes në qarkullim.
Prej orëve të para të mëngjesit, Kukësi dhe zonat përreth janë përfshirë nga reshje me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara me erëra të forta në disa akse. Në lartësitë mbi 1000 metra janë regjistruar edhe reshje bore, të cilat kanë krijuar vështirësi të lehta në qarkullim.
Burime zyrtare njoftojnë se në disa rrugë nacionale janë regjistruar rënie gurësh dhe inertesh, por ndërhyrja e menjëhershme e kompanive kontraktore ka bërë të mundur pastrimin e akseve pa pengesa të mëdha. Aktualisht, të gjitha rrugët kryesore në qark janë të hapura dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Bashkitë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës nuk raportojnë situata emergjente, megjithatë janë në gatishmëri për çdo rast të mundshëm. Autoritetet vendore po monitorojnë me kujdes zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet, sidomos ato me terren të pjerrët dhe pranë lumenjve.
Sa i përket energjisë elektrike, furnizimi është stabil në pjesën më të madhe të qarkut. Probleme të përkohshme janë shënuar në disa fshatra të shpërndarë në njësitë administrative Topojan, Golaj dhe Bytyç, ku grupet e punës po vijojnë riparimin e linjave.
Furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth po vijon normalisht sipas orareve të përcaktuara nga Ujësjellësi. Deri më tani, nuk janë raportuar ndërprerje të furnizimit për shkak të motit.
Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në rrugët malore dhe në segmentet ku ekziston rreziku i rënies së gurëve, për shkak të lagështisë dhe reshjeve të fundit.
 
				 
															 
         
         
        

