Rënia historike e martesave sinjalizon krizë demografike në Shqipëri

Numri i martesave në vend ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1990, duke paralajmëruar tkurrje të lindjeve dhe përkeqësim të strukturës demografike.

Shqipëria po përballet me një rënie të pandalshme të martesave, duke shënuar në vitin 2024 vetëm 16,120 çifte të regjistruara zyrtarisht. Ky është niveli më i ulët në historinë e 34 viteve të fundit, sipas të dhënave të INSTAT. Krahasuar me një vit më parë, rënia është 7.7%, ndërsa me vitin 2021, kur shifrat ishin 19,709, tkurrja arrin mbi 18%.

Në vitin 1990, para shpërthimit të tranzicionit politik dhe ekonomik, në vend regjistroheshin gati 29 mijë martesa. Që atëherë, dinamika e lidhjeve martesore ka ndjekur cikle të ndikuara nga zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe valët e emigracionit. Fillimi i viteve ’90 solli një tkurrje të fortë për shkak të largimeve masive jashtë vendit, ndërsa një rimëkëmbje e lehtë u pa në fund të dekadës.

Pas vitit 2010, numri i martesave nisi rënien e vazhdueshme, duke zbritur nën 24 mijë në vit. Goditja më e madhe erdhi në vitin 2020 me pandeminë, kur ceremonitë u reduktuan në 17,473. Vetëm një vit më pas, pati një rikthim të përkohshëm në 19,709 martesa, si pasojë e shtyrjes së celebrimeve, por trendi negativ rifilloi shpejt.

Nga 18,781 martesa në vitin 2022, numri ra në 17,467 në vitin 2023 dhe në 16,120 gjatë vitit 2024. Sipas ekspertëve, emigracioni masiv dhe pasiguritë ekonomike po i shtyjnë të rinjtë të vonojnë ose të shmangin martesën. Kostoja e lartë e jetesës, çmimet e banesave dhe mungesa e mbështetjes shtetërore për familjet e reja janë faktorë kyç në këtë rënie.

Pasojat e këtij fenomeni janë të drejtpërdrejta: më pak martesa nënkuptojnë më pak lindje. Edhe çiftet që bashkëjetojnë shpesh zgjedhin të kenë më pak fëmijë ose të shtyjnë lindjen për më vonë. Kjo po përshpejton plakjen e popullsisë dhe po redukton burimet njerëzore për zhvillimin ekonomik.

Të dhënat e fundit tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, lindjet ranë me 6.5%, ndërsa shtesa natyrore po afrohet me zero. Në disa qytete, rënia e lindjeve ka kaluar 35%. Ky është një sinjal alarmi për një vend që tashmë po përjeton emigracion të lartë të të rinjve dhe mungesë të politikave të qarta për të frenuar këtë krizë.

Ndërkohë, Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta europiane pa paketa të dedikuara ndihme financiare për çiftet e reja. Në kushtet kur të rinjtë përballen me çmime të papërballueshme për strehim dhe arsimin e fëmijëve, shumë prej tyre zgjedhin të ndërtojnë jetën jashtë vendit, duke e lënë bosh edhe më shumë hartën demografike të Shqipërisë.

Ndaj Postimin: