Pas pandemisë, numri i nxënësve në Shqipëri ka rënë me 10%, duke sjellë mbylljen e qindra shkollave, sidomos në zonat rurale
Të dhënat e INSTAT tregojnë një tkurrje të ndjeshme të popullsisë shkollore për periudhën 2020-2025. Brenda pesë viteve, numri i nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një ulje prej 10%. Rënia lidhet me uljen e lindjeve dhe emigracionin, por pandemia e ka thelluar më tej fenomenin.
Në kopshte, regjistrimet kanë rënë me 8%, nga 71,332 fëmijë në vitin 2020 në 65,914 aktualisht. Ky tregues reflekton rënien e lindshmërisë nën nivelin 1.5 fëmijë për grua, krahasuar me mbi tre fëmijë për grua në vitet ’90.
Në arsimin fillor, tkurrja është edhe më e madhe, me 14% më pak nxënës midis viteve 2020-2025. Edhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) ka pësuar ulje me 11%, duke treguar një rënie të vazhdueshme të popullsisë 6-14 vjeç.
Situata është më kritike në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% në pesë vitet e fundit. Regjistrimet në gjimnaze dhe shkolla profesionale janë tkurrur me 19%, ndërsa arsimi profesional ka pësuar një ulje më të lehtë prej 11%.
Në kontrast, arsimi i lartë mbetet pothuajse i pandryshuar, me vetëm 1% rënie të regjistrimeve — nga 123,797 studentë në vitin 2020 në 122,613 në vitin 2025. Ky fakt tregon se interesi për studimet universitare mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht sfidave demografike.
Rënia e nxënësve ka sjellë pasoja direkte në infrastrukturën arsimore. Nga viti 2012 deri në 2022 janë mbyllur 295 shkolla 9-vjeçare, duke zbritur numrin total nga 1346 në vetëm 1051. Në zonat rurale, ku mbylljet janë më të shumta, kjo ka nxitur edhe më shumë largimin e familjeve të reja drejt qyteteve ose jashtë vendit.
Financimi i arsimit në Shqipëri ka rënë ndjeshëm krahasuar me periudhën para viteve ’90. Në atë kohë, mbi 4-5% e PBB shpenzohej për arsim, në nivel të krahasueshëm me vendet e OECD-së. Sot, ky financim është nën 3% të PBB-së, rreth 40% më pak se vendet e zhvilluara dhe 20% më pak se vendet e rajonit.