Rekord në letër, dyshim në terren: A po rritet vërtet ekonomia shqiptare?

Institucionet publike kanë një talent të veçantë për të festuar shifrat makroekonomike. Çdo raport shoqërohet me fjalë si “rekord”, “rritje” dhe “performancë historike”. Në pamje të parë, duket sikur ekonomia shqiptare është një histori suksesi që ecën pa pengesa.

Edhe Investimet e Huaja Direkte për 9-mujorin 2025 u paraqitën si një triumf: 1.208 miliardë euro, me rritje 4.4% krahasuar me një vit më parë. Por shifrat, kur analizohen më thellë, tregojnë një realitet më kompleks.

Rreth 403 milionë euro vijnë nga pasuritë e paluajtshme. Pra nga blerje apartamentesh nga të huajt. Kapital që hyn në vend, por që nuk krijon industri, nuk rrit produktivitetin dhe nuk hap vende pune me vlerë të shtuar. Përkundrazi, rrit rrezikun e spekulimit.

Sektori financiar kontribuon me 219 milionë euro, kryesisht rritje kapitali të bankave për arsye rregullatore. Industria nxjerrëse me 134 milionë euro mbetet e fokusuar në shfrytëzim burimesh natyrore, jo në zhvillim strukturor.

Ndërkohë, mesazhi i “Librit të Bardhë 2025–2029” nga Shoqata e Investitorëve të Huaj është më pak optimist. Rreziku rregullator, pasiguria ligjore, ndryshimet e shpeshta fiskale dhe korrupsioni mbeten pengesa serioze.

Problemi nuk është vetëm tërheqja e investitorëve të rinj. Problemi është se ata që janë këtu nuk po zgjerohen. Dhe një investitor që nuk zgjeron aktivitetin është një sinjal i heshtur mosbesimi.

Rritja në Excel nuk është gjithmonë zhvillim në terren. Kapitali nuk ndjek konferencat për shtyp, por stabilitetin dhe drejtësinë funksionale. Diferencën në rajon nuk e bëjnë rekordet në letra, por cilësia e investimeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033