Houthit në Jemen njoftojnë se do të synojnë anijet amerikane në Detin e Kuq në një kohë kur SHBA-ja mbështet ushtarakisht Izraelin kundër Iranit, dhe ka nisur sulmet ndaj Iranit.
Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten, teksa rebelët Houthi në Jemen kanë lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara. Në deklaratën e tyre, ata bënë të qartë se sulmet amerikane kundër Iranit do të pasohen me sulme të menjëhershme ndaj anijeve ushtarake amerikane në Detin e Kuq.
Ky kërcënim vjen në një kohë kur Uashingtoni ka pezulluar përkohësisht fushatën ajrore kundër forcave Houthi, pas një marrëveshjeje të arritur në muajin maj. Në atë kohë, rebelët e lidhur ngushtë me Iranin u zotuan se do të ndalnin sulmet ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në zonën strategjike detare, në këmbim të ndalimit të goditjeve amerikane.
Zhvillimet e fundit ndërlidhen me përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, që nisi pak ditë më parë. Deri tani, administrata e presidentit Donald Trump ka marrë një vendim zyrtar për përfshirjen direkte në luftë, dhe mbështetja për Izraelin nuk është mohuar.
SHBA ka vendosur të hyjë ushtarakisht në konflikt në anën e Tel Avivit, dhe rebelët Houthi kanë premtuar përgjigje të menjëhershme. Deti i Kuq, një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale, do të kthehet në një vatër të re tensioni.
Analistët paralajmërojnë se një ndërhyrje e tillë do të rrezikonte jo vetëm përshkallëzimin rajonal, por edhe lirinë e lundrimit në një zonë ku kalojnë dhjetëra mijëra anije çdo vit. Kërcënimi Houthi shton edhe më shumë presion mbi Uashingtonin, i cili ndodhet tashmë mes luftës.
Për momentin, situata mbetet e tensionuar, ndërsa vendimmarrja e SHBA-së po përcakton më tej ecurinë e krizës së fundit në Lindjen e Mesme.