“Realitet i ri sigurie”, Komisioni miraton projektligjet për kontrollin e mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka miratuar ditën e sotme të gjitha projektligjet e përfshira në rendin e ditës, mes të cilave edhe ndryshimet ligjore që lidhen me kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.

Gjatë diskutimeve, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi se Shqipëria dhe vendet partnere po përballen me një realitet të ri sigurie, ku rreziqet nuk lidhen më vetëm me armët klasike, por edhe me teknologjitë, materialet dhe pajisjet që mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake njëkohësisht.

Sipas ministrit, kufiri mes paqes, krizës dhe përdorimit civil të këtyre mallrave është bërë gjithnjë e më i paqartë, duke krijuar nevojën për një kuadër ligjor më të fortë që të administrojë dhe parandalojë rreziqet e reja. Ai nënvizoi se projektligji synon harmonizimin e plotë me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian, konkretisht me rregulloren përkatëse të vitit 2021.

Vengu sqaroi se ndryshimet ligjore kanë tre objektiva kryesore: forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe vlerësimit të riskut, rritjen e sigurisë juridike për institucionet ligjzbatuese dhe operatorët ekonomikë, si dhe përshtatjen e regjimit të licencave me realitetin e ri teknologjik dhe industrial.

Sipas tij, regjimi i licencimit do të thjeshtohet dhe ripërtërihet, duke përcaktuar qartë llojet e licencave, duke krijuar bazë ligjore për licencat e përsëritura dhe duke identifikuar operatorët me rrezik të ulët. Gjithashtu, parashikohet përfshirja e licencimeve për projekte dhe programe industriale e teknologjike vendase, duke plotësuar boshllëqe ligjore të së kaluarës.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni miratoi pesë projektligje, përfshirë marrëveshjet ndërkufitare të bashkëpunimit me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe ndryshimet në ligjin për kontrollin e transferimeve të mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033