Real Madrid pëson një ndalesë të papritur në La Liga, duke u mposhtur 1-0 nga Espanyol në Katalonjë.
Skuadra e Carlo Ancelottit dominoi takimin, krijoi raste të panumërta, por në fund doli pa asnjë pikë, duke i dhënë mundësi Atletico Madrid dhe Barcelonës të afrohen në krye të tabelës.
Ndeshja nisi me një marsh më shumë nga madrilenët, të cilët madje gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e parë me Vinicius Jr. Megjithatë, goli u anulua nga arbitri pas një faulli të Kylian Mbappé në nisje të aksionit. Pavarësisht insistimit të Realit, pjesa e parë u mbyll pa gola, me Espanyolin që mbrohej me disiplinë.
Fraksioni i dytë ishte një festival rastesh për madrilenët. Vinicius, Jude Bellingham, Mbappé dhe Rodrygo provuan të gjenin rrugën e rrjetës, me këta dy të fundit që madje goditën edhe shtyllën. Por siç ndodh shpesh në futboll, kur nuk shënon, ndëshkohesh. Pesë minuta para fundit, Espanyol goditi në mënyrë perfekte me Romeron, i cili shfrytëzoi një harkim nga e djathta dhe mposhti Thibaut Courtois.
Një paraqitje solide bëri edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, i cili zhvilloi një ndeshje të sigurt dhe u vlerësua me notën 7 nga analistët e statistikave.
Humbja e Realit ngushton tashmë diferencën me ndjekësit më të afërt. Atletico Madrid përfitoi menjëherë nga kjo ndalesë, duke mposhtur 2-0 Mallorcën dhe duke u afruar në vetëm një pikë larg madrilenëve. Skuadra e Diego Simeones zhbllokoi sfidën në minutën e 26-të me një diagonale të bukur të Samuel Lino, ndërsa Mallorcanët humbën mundësinë për të barazuar kur goditën traversën në pjesën e dytë.
Sulmuesi Vedat Muriqi kishte një rast të artë me kokë, por nuk arriti të koordinohej siç duhej. Në kohën shtesë, Antoine Griezmann vulosi fitoren e Atletico-s me një parabol elegante pas një kundërsulmi të shpejtë.
Me këtë rezultat, gara për titullin në La Liga mbetet e hapur, me Real Madrid që ndien tashmë presionin e rivalëve në prag të fazës më vendimtare të sezonit.