Reagimi pas përplasjes në Këshillin Bashkiak Pogradec

Qytetari i përfshirë në konflikt me këshilltarin Engjëll Shyti deklaron se përplasja nisi pas kërcënimit të bërë gjatë votimit për tokat në Çërravë.

Pas incidentit të ndodhur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Kevi Muçllari, qytetari i cili u konfliktua fizikisht me këshilltarin Engjëll Shyti, ka folur për mediat duke sqaruar momentet që e çuan në tension. Ai theksoi se situata doli jashtë kontrollit pas miratimit të pikës që komuniteti i Çërravës e kundërshton prej kohësh.

Muçllari deklaroi se debati filloi me replika dhe argumente të zakonshme, por u përshkallëzua kur, sipas tij, këshilltari Shyti u ngrit dhe lëshoi kërcënime në drejtim të banorëve të pranishëm. “Siç e patë edhe vetë, pati një moment tensioni sepse Engjëll Shyti u ngrit dhe na kërcënoi për shkak të asaj që thashë unë”, u shpreh ai.

Sipas qytetarit, miratimi i vendimit për listën e sipërfaqes së tokës prej 34.660 hektarësh në Çërravë u bë pa marrë parasysh shqetësimet e komunitetit. Ai shtoi se kryetari i bashkisë e minimizoi kundërshtimin e tyre, duke e quajtur “tekë”, gjë që ndezi më tej zemërimin e banorëve.

Muçllari theksoi se argumentet e tyre janë të bazuara dhe të njohura prej kohësh, por u injoruan në mënyrë të qëllimshme. Ai shprehu zhgënjim edhe ndaj këshilltarëve që votuan pro vendimit, duke i cilësuar me qëndrim të pajustifikuar dhe të pabazë ndaj komunitetit që përfaqësojnë.

“Ne nuk do ta lëmë këtë punë me kaq”, deklaroi ai, duke njoftuar se banorët do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin dhe për të mbrojtur interesin e territorit të tyre. Sipas tij, çështja prek drejtpërdrejt komunitetin dhe nuk mund të konsiderohet e mbyllur.

Ai shtoi se banorët do të vazhdojnë të reagojnë dhe të organizohen, duke e cilësuar vendimin dhe mënyrën e miratimit si të papranueshme dhe jashtë standardeve të përfaqësimit qytetar.

Ndaj Postimin: