Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka hedhur poshtë akuzat për krime elektorale të ngritura nga PD, duke theksuar se punësimet dhe investimet në bashkinë që ai drejton janë realizuar në përputhje me ligjin dhe procedurat e miratuara.
Topçiu ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë nga Ivi Kaso në SPAK, ku akuzat lidhen me punësimet gjatë periudhës zgjedhore dhe investimet publike që janë realizuar në këtë periudhë. Ai ka theksuar se nuk ka pasur mundësi të lexonte materialin e kallëzimit, por ka dhënë detaje lidhur me procedurat që janë ndjekur në bashkinë e Maliqit.
“Bashkëpunëtorët e mi më kanë çuar diçka, por nuk e kam lexuar materialin dhe nuk jam njohur me të. Nga ajo që më kanë treguar, bëhet fjalë për dy momente: punësime gjatë periudhës zgjedhore dhe investime publike në territor,” ka thënë Topçiu. Ai ka shtuar se të gjitha punësimet janë pezulluar me një urdhër të tij, një informacion që mund të verifikohet në institucionin e Bashkisë.
Sipas kryebashkiakut, investimet publike që po realizohen janë të miratuara nga Këshilli i Bashkisë në vitin 2024 dhe janë të përfshira në procedurat standarde të miratuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike. Ai ka theksuar se këto investime janë të ligjshme dhe se çdo projekt është realizuar duke ndjekur miratimet dhe procedurat përkatëse të kërkuara nga ligji.
Topçiu gjithashtu ka theksuar se akuzat për favorizim politik janë të pavërteta. Sipas tij, investimet në territor janë shpërndarë në të gjithë bashkinë dhe nuk kanë ndonjë orientim politik. Ai ka përmendur një investim trevjeçar për periudhën 2025-2027, të miratuar nga Këshilli i Bashkisë dhe Prefekti, duke siguruar se të gjitha procedurat janë realizuar sipas ligjit.
Kryebashkiaku i Maliqit ka theksuar se investimet në infrastrukturë janë të shpërndara dhe të drejtuara për të përmirësuar kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa bërë dallime politike. “Ne nuk bëjmë rrugë për të majtë apo për të djathtë, bëjmë rrugë kudo në të gjithë bashkinë. Le ta shikojnë komunitetet tona sa të vërtetë jemi për këtë pjesë,” ka thënë Topçiu. Ai ka kërkuar që institucionet përkatëse të verifikojnë ligjshmërinë e investimeve dhe punësimeve të realizuara, duke i siguruar qytetarët se çdo veprim është realizuar sipas ligjit dhe procedurave të kërkuara.