Rasti Matthew Perry: Mjeku kalifornian merr dënim për shpërndarje të paligjshme ketamine

Një mjek nga Kalifornia është dënuar me tetë muaj arrest shtëpie dhe tre vite liri me kusht, pasi u shpall fajtor në lidhje me vdekjen e aktorit Matthew Perry nga mbidoza. Dr. Mark Chavez, i cili punon në San Diego, ka pranuar akuzat për shpërndarje të paligjshme të ketaminës, substancë që u gjet në sasi të mëdha në gjakun e aktorit pas vdekjes së tij në vitin 2023 në Los Angeles.

Hetimet federale zbuluan se Chavez siguronte ketaminën nga klinika e tij dhe nga një distributor, duke përdorur pa autorizim identitetin e një pacienteje. Ai më pas ua shiste dozat e substancës kolegut të tij, Dr. Salvador Plasencia, i cili furnizonte aktorin. Plasencia është dënuar më herët këtë muaj me 30 muaj burg.

Sipas dokumenteve hetimore, mjekët diskutonin fitimet që nxirrnin nga varësia e Perry-t dhe e tallnin aktorin në mesazhet e tyre private. Përveç dy mjekëve, tre persona të tjerë – duke përfshirë asistentin personal të aktorit dhe një shpërndarëse droge të quajtur “Mbretëresha e Ketaminës” – pritet të mësojnë vendimet e gjykatës në muajt e ardhshëm.

Autopsia e Perry-t konfirmoi se ai humbi jetën si pasojë e efekteve akute të ketaminës, një rast që ka tërhequr vëmendjen ndaj rrezikshmërisë së përdorimit abuziv të kësaj substance, pavarësisht funksionit të saj ligjor në mjekësi.

Ndaj Postimin: