Pesë anëtarët e familjes Liçaj jetojnë prej tre vitesh në një çadër të amortizuar, ndërsa shtëpia e rrënuar u rrezikon jetën dhe e vetmja kërkesë e tyre është rindërtimi i banesës.
Familja Liçaj në fshatin Kremenar të bashkisë Mallakastër po përballet me një dramë të heshtur sociale. Prej tre vitesh, pesë anëtarët e saj detyrohen të jetojnë në një çadër të ngritur në oborrin e shtëpisë së rrënuar, pasi banesa është pothuajse e shembur dhe familja nuk ka mundësi financiare ta riparojë.
Kryefamiljari 44-vjeçar, Ermal Liçaj, është i papunë për shkak të një dëmtimi të rëndë në shtyllën kurrizore, të pësuar vite më parë gjatë shërbimit ushtarak. Ai nuk siguron asnjë të ardhur dhe gjendja e tij shëndetësore e pengon të punojë.
Më e vështirë situata është për bashkëshorten, Filen Liçaj, e cila kujdeset për fëmijën 3-vjeçar, punët e shtëpisë dhe punët e tokës. Ajo përballon çdo ditë një barrë të rëndë fizike dhe emocionale, raporton Shqiptarja.
Me ardhjen e dimrit, jeta në çadër bëhet thuajse e pamundur. Erëra të forta, reshje dhe të ftohtë i detyrojnë të futen në shtëpinë e dëmtuar, pavarësisht paralajmërimeve se rrezikon shembjen.
“Na kanë thënë të mos hyjmë brenda se shtëpia rrezikon të na zërë, por dimri është i acartë dhe s’kemi ku të shkojmë tjetër. Ne kërkojmë vetëm të na rindërtojnë shtëpinë. Kemi kërkuar ndihmë në bashki disa herë, por askush s’na ka ofruar zgjidhje”, tregojnë anëtarët e familjes.
Të ardhurat e vetme të familjes janë 4 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj dhe pensioni minimal i prindërve të moshuar, të sëmurë dhe me shpenzime të larta për ilaçe. Situata ekonomike është në kufijtë e mbijetesës.
Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i kontaktuar për çështjen, deklaroi se bashkia nuk ka programe strehimi dhe as fonde për rindërtim. Ai shtoi se familjes i është ofruar bonus qiraje për një vit, por Liçajt e kanë refuzuar zhvendosjen në qytet, duke kërkuar rikonstruksion të banesës së tyre në fshat.
Familja thekson se nuk dëshiron të braktisë tokën, jetën dhe komunitetin e Kremenarit, ndaj apelon për ndihmë ndaj çdo institucioni shtetëror apo donatori privat që mund të kontribuojë.


