Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 67-vjeçarin Rushan Selko, i akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një vajzë 12-vjeçare në zonën e Pogradecit.
Vendimi u mor pas seancës së zhvilluar këtë të premte, ku Prokuroria paraqiti kërkesën për masën më të rëndë të sigurisë, duke argumentuar se ekzistojnë prova që dyshohet se vepra është kryer me forcë.
Sipas të dhënave të paraqitura në seancë, nga analizat mjekësore rezulton se e mitura ka mbetur shtatzënë dhe ndodhet mbi katër muajshe. I pandehuri nuk e ka pranuar akuzën gjatë seancës gjyqësore.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet presin edhe rezultatet e analizave të ADN-së, të cilat janë dërguar për ekspertim dhe pritet të përfundojnë brenda rreth dy javësh.
Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Korçës, ndërsa procedurat hetimore janë në zhvillim.