Rasti i parë i murtajës së kafshëve në Kosovë konfirmohet në Prizren, vendosen masa të forta kufizuese

Një vatër infeksioni në fshatin Landovicë ka detyruar autoritetet të shpallin masë karantine dhe ndalim të lëvizjes për delet dhe dhitë në zonën përreth.

Sëmundja e njohur si Murtaja e Ripërtypësve të Vegjël (PPR) është konfirmuar për herë të parë në Kosovë. Rasti është regjistruar në një fermë në fshatin Landovicë të komunës së Prizrenit. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas analizave laboratorike që vërtetuan praninë e virusit.

Pas marrjes së dyshimeve të para, janë marrë menjëherë mostra nga ferma dhe është vendosur ndalim lëvizjeje për kafshët. Mostrat e marra në zonat përreth kanë rezultuar negative, por autoritetet kanë shpallur fshatin Landovicë si vatër të infektuar dhe kanë vendosur rreth saj një perimetër sigurie prej 3 kilometrash, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Në këtë zonë janë ndaluar plotësisht lëvizja, transporti dhe tregtimi i çdo kafshe apo produkti që lidhet me to. Fermat përreth janë futur në listën e dyshimit për hetim të mëtejshëm epidemiologjik dhe po kryhen kontrolle për të identifikuar burimin e infeksionit dhe kontaktet e mundshme me fermën e prekur.

Agjencia e Ushqimit ka urdhëruar zbatimin e masave të biosigurisë në të gjitha fermat brenda zonës së kontrollit, përfshirë dezinfektimin sipas protokolleve dhe groposjen e kafshëve të infektuara. Komunat janë ngarkuar të caktojnë vendet për asgjësimin e tyre.

Për të parandaluar përhapjen në gjithë territorin e Kosovës, është ndaluar lëvizja e deleve dhe dhive në tregje dhe çdo formë tregtimi i tyre. Fermerët janë të detyruar të raportojnë menjëherë çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve, ndërsa praktikat veterinare duhet të lajmërojnë autoritetet për çdo rast të dyshuar.

Sëmundja PPR është një virus tepër ngjitës që prek delet dhe dhitë. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, kollitje, diarre dhe probleme të rënda në frymëmarrje, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për blegtorinë. Autoritetet kanë theksuar se nuk ka rrezik për njerëzit dhe sëmundja nuk transmetohet te njeriu.

Masat kufizuese kanë hyrë në fuqi që nga data 3 korrik 2025. Pavarësisht këtyre rregullave të forta, përjashtim bëjnë vetëm rastet e dërgimit të kafshëve të shëndetshme drejt thertoreve të licencuara, me miratimin paraprak të inspektorit veterinar. Ndërkohë, menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të ndalojnë pranimin e çdo kafshe të këtij lloji në hapësirat e tyre.

Ndaj Postimin: