Raporti i OKB-së: Furnizimi me ushqim në Gaza është përmirësuar, por mbi 100 mijë persona vijojnë në kushte katastrofike

Ekspertë të sigurisë ushqimore të mbështetur nga Kombet e Bashkuara kanë konstatuar përmirësime në furnizimin me ushqim dhe në gjendjen ushqimore në Rripin e Gazës pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, por paralajmërojnë se mbi 100 mijë persona vazhdojnë të jetojnë në kushte “katastrofike”.

Sipas analizës më të fundit të Integrated Food Security Phase Classification (IPC), e publikuar së fundmi, një muaj më parë rreth gjysmë milioni banorë të Gazës përballeshin ende me kushte emergjente ushqimore, ndërsa më shumë se 100 mijë persona ndodheshin në nivelin më të lartë të pasigurisë ushqimore, IPC Faza 5, e përkufizuar si “katastrofë”.

Në muajin gusht, IPC kishte raportuar se rreth 500 mijë persona, gati një e katërta e popullsisë së Gazës, jetonin në zona të prekura nga uria. Që prej armëpushimit të brishtë të arritur në tetor, OKB-ja dhe agjenci të tjera humanitare kanë arritur të rrisin sasinë e ndihmave ushqimore që hyjnë në territor.

Raporti thekson se aktualisht asnjë zonë në Gaza nuk klasifikohet më zyrtarisht si “në uri”, por situata mbetet “jashtëzakonisht e brishtë”. IPC vlerëson se numri i personave në kushte katastrofike pritet të vijojë të bjerë, duke parashikuar se deri në prill mund të reduktohet në rreth 1.900 persona, nëse nuk ka përshkallëzim të ri të konfliktit.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se çdo rifillim i luftimeve do ta vinte të gjithë Rripin e Gazës në rrezik real për uri. Raporti identifikon si faktorë kryesorë të pasigurisë ushqimore kufizimet në aksesin humanitar, zhvendosjen e mbi 730 mijë personave dhe shkatërrimin e burimeve të jetesës, përfshirë faktin se mbi 96% e tokës bujqësore në Gaza është shkatërruar ose e paarritshme.

Kequshqyerja akute vijon të jetë në nivele kritike në qytetin e Gazës dhe serioze në zonat e Deir al-Balah dhe Khan Younis, sipas IPC-së.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit e ka cilësuar raportin si “të shtrembëruar qëllimisht” dhe ka deklaruar se ai “nuk pasqyron realitetin në Rripin e Gazës”. Edhe Cogat, struktura ushtarake izraelite që kontrollon pikat e kalimit drejt Gazës, ka kundërshtuar gjetjet, duke thënë se numri i kamionëve me ndihma ushqimore që hyjnë çdo javë e tejkalon nevojën e përcaktuar nga OKB-ja.

Sipas Cogat, raporti bazohet në boshllëqe serioze të të dhënave dhe injoron ndihmën reale humanitare në terren. Izraeli ka mohuar gjithashtu se po pengon hyrjen e furnizimeve dimërore, mjekësore apo të ujit të pijshëm.

Ndërkohë, UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, vlerëson se edhe pse Gaza nuk konsiderohet më zyrtarisht në uri, kushtet e jetesës mbeten “kritike” dhe të përkeqësuara nga moti i dimrit. Agjencia ka kërkuar akses humanitar dhe tregtar të qëndrueshëm, të zgjeruar dhe të vazhdueshëm për të shmangur një përkeqësim të ri të situatës.

Ndaj Postimin: