Raporti i Maturës Shtetërore 2024: Rritje e performancës dhe progres në matematikë

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore prezantuan sot raportin e detajuar mbi Maturën Shtetërore 2024, një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të institucioneve arsimore, drejtuesve të shkollave dhe ekspertëve të arsimit nga e gjithë Shqipëria.

Ky raport i ofron një analizë të thelluar të rezultateve dhe ecurisë së procesit të maturës, duke nxjerrë në pah jo vetëm arritjet e nxënësve, por edhe cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkallë kombëtare.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, theksoi se ky vit ka shënuar përparim të konsiderueshëm, duke e cilësuar procesin e Maturës Shtetërore 2024 si një sukses të përgjithshëm. Ajo nënvizoi se ky proces ka pasur një administrim të shkëlqyer, si dhe një nivel të lartë transparence dhe meritokracie. “Në Maturën Shtetërore kanë marrë pjesë rreth 27 mijë nxënës nga shkollat e mesme, duke shënuar një kalueshmëri prej 99.42%, një shifër më e lartë se vitin e kaluar dhe më e larta e pesë viteve të fundit,” tha Manastirliu.

Në lidhje me notën mesatare vjetore, Ministrja theksoi se ka pasur një përmirësim të dukshëm. Nota mesatare vjetore për Maturën Shtetërore 2024 është 7.58, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin e kaluar, ku kjo vlerë ishte 7.3. Megjithatë, notat në provimet e Maturës, si për çdo vit, kanë mbetur në nivele të ngjashme me vitin 2023.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij viti është progresi i lëndës së matematikës, e cila ka regjistruar një rritje të dukshme. Nota mesatare e matematikës për maturën 2024 ka arritur në 7.79, krahasuar me 6.72 në vitin 2023. Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi matematikat kanë qenë një nga lëndët që ka kërkuar përmirësime në vitet e fundit.

Në përpjekje për të pasur një pamje më të qartë të performancës, Ministrja Manastirliu ndau edhe disa të dhëna të rëndësishme për shkollat dhe zonat që kanë arritur rezultate më të mira se mesatarja kombëtare. Ajo theksoi se 18 zyra vendore arsimore kanë arritur rezultate më të larta se mesatarja kombëtare për lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke përfshirë qytete të mëdha si Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.

Në lidhje me matematikën, 21 zyra vendore arsimore kanë regjistruar nota mesatare më të larta se mesatarja kombëtare, e cila ishte 6.8, duke përfshirë qytetet si Tirana, Elbasani, Vlorë, Korçë dhe Berat. Kjo tregon përpjekjet dhe angazhimin e mësuesve dhe strukturave arsimore për të rritur cilësinë e mësimdhënies.

Për të mbështetur shkollat dhe mësuesit që kanë rezultate më të ulëta se mesatarja kombëtare, Ministrja Manastirliu njoftoi se do të ndërmerren masa specifike. Ky plan do të përfshijë trajnime për mësuesit për metodat më efektive të mësimdhënies dhe mbështetje për nxënësit përmes kurseve jashtëshkollore.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është planifikimi për përmirësimin e performancës në vlerësimin ndërkombëtar PISA 2025. Ministrja theksoi se gjatë këtij viti janë trajnuar më shumë se 3 mijë mësues dhe janë përfshirë rreth 600 nxënës nga 32 shkolla. Puna për përgatitjen e testimit dhe administrimin e të dhënave ka përparuar, dhe Ministrja shpreson se këto hapa do të sjellin një përmirësim të ndjeshëm të rezultateve për PISA 2025.

Në përfundim, Ministrja Manastirliu bëri një përmbledhje të përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar sistemin arsimor shqiptar, duke përmendur një tjetër arritje të rëndësishme për Shqipërinë: për herë të parë, vendi ka kaluar mesataren ndërkombëtare në matematikë në vlerësimin TIMSS 2024, duke u renditur në mesin e shteteve me rezultate të rritura.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera