Pas Presidentit të Republikës, edhe kryeministri Edi Rama mori në dorë Progres Raportin e Komisionit Europian për 2024, të dorëzuar nga ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato.
Kryeministri Rama e vlerësoi momentin, duke e cilësuar si një rast për të marrë në dorë rezultatet e angazhimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Kjo është koha për të parë rezultatet e detyrave që kemi për shtetbërjen,” tha Rama. “Tetori është një muaj i veçantë, pasi në Luksemburg u zhvillua konferenca e 22-të ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila solli njohjen e përparimit të vendit nga institucionet dhe vendet anëtare të BE-së. Së bashku me ambasadorin e BE-së, po marr zyrtarisht një kopje të raportit, ndaj po e ndërpres fjalën për ta marrë këtë raport dhe do ta vijoj fjalën pas tij,” shtoi Rama me entuziazëm.
Ambasadori Gonzato ndau në konferencë për mediat disa nga pikat kryesore të raportit, duke vënë theksin te rëndësia e reformave për ta përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit. Ai përmendi se, nëse reformat avancojnë, Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të vitit 2025, çka është një lajm i mirë për vendin.
Raporti njeh faktin se Shqipëria tashmë është në një harmonizim të plotë me politikën e jashtme të BE-së dhe shpreh gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur synimin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Kjo është një pikë inkurajuese, pasi raporti 2024 ofron udhëzime, rekomandime dhe hapa të qarta për vitin e ardhshëm.
Ambasadori Gonzato theksoi gjithashtu se, megjithëse raporti njeh përparimin, janë të nevojshme më shumë përpjekje për adresimin e situatës së polarizuar politike dhe për përmirësime në procesin zgjedhor. Për këtë, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv.
Në fushën e gjyqësorit, Komisioni vë re disa hapa pozitivë, veçanërisht me përmbylljen e procesit të vettingut. Megjithatë, raporti ngre shqetësime për përpjekjet për trysni mbi sistemin gjyqësor dhe kërkon që kjo çështje të trajtohet me përparësi në vitin që vjen.