Kryeministri Edi Rama i është drejtuar gjyqtarëve me një mesazh publik, duke deklaruar se falë qeverisë socialiste atyre u ka ndryshuar jeta për mirë, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë familjar. Ai theksoi se askush nuk po cenon pozicionin e tyre dhe se qeveria është garantja e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Sipas Ramës, gjyqtarët janë sot plotësisht të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre, ndërsa çështja e paanshmërisë, sipas tij, duhet të jetë një reflektim i përditshëm personal për secilin prej tyre në momentin kur hyjnë në sallën e gjyqit.
Kreu i qeverisë e cilësoi reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve si të papranueshëm dhe të paprecedentë në historinë e Europës, duke u shprehur se është “absolutisht i surprizuar” nga ajo që e konsideroi një përpjekje për t’i imponuar Kuvendit dhe qeverisë vendime përmes pushtetit gjyqësor.
Rama deklaroi se thelbi i debatit lidhet me kërkesën për 37 milionë euro nga buxheti i shtetit, duke theksuar se synohet rritja e pagës së gjyqtarëve të Apelit nga 3480 euro në mbi 5000 euro. Ai shtoi se kjo çështje është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe se qeveria është palë në këtë proces.
Kryeministri akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po shfaqet si një parti politike, duke përdorur një gjuhë të papranueshme për përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor. Ai theksoi se gjyqtarët duhet të shprehen përmes vendimeve të tyre dhe jo përmes deklaratave publike.
Rama veçoi SPAK-un nga kjo kërkesë, duke deklaruar se ky institucion nuk i është bashkuar kërkesës për rritje pagash. Sipas tij, gjyqtarët në Shqipëri paguhen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, dhe kërkesa për rritje me 2–3 mijë euro në muaj nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese.