Rama: Transformimi i Tiranës, një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalë përshëndetëse në samitin “Pakti i Qyteteve të Lira”, i cili po zhvillohet për herë të parë në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu kënaqësinë për faktin se Tirana është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara të Shqipërisë për turistët. Sipas tij, ky transformim është i jashtëzakonshëm dhe ka kapur nivele që as që mund të imagjinoheshin disa vite më parë.

“Kënaqësi për ne që në Tiranë ofrojmë mikpritjen tonë dhe mundësinë e një eksperience të veçantë në një kryeqytet që tani është një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë. Ky është një ndryshim i dukshëm dhe i paimagjinueshëm,” tha Rama, duke theksuar gjithashtu se Tirana ka arritur të bëhet një platformë e jashtëzakonshme e arkitekturës bashkëkohore.

Ai theksoi se një numër i konsiderueshëm arkitektësh ndërkombëtarë me prestigj të lartë kanë kontribuar në zhvillimin e qytetit, duke shtuar se ky transformim është ende në proces. Rama vlerësoi se, edhe pse Tirana ka filluar të mbajë një imazh të ri, do të duhen ende disa vjet që këto projekte të bëhen realitet në formën përfundimtare.

Pavarësisht se për Tiranën janë bërë hapa të jashtëzakonshëm, kryeministri përmendi se ka ende shumë punë për të bërë, por ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Ai gjithashtu e theksoi se shumë prej këtyre projekteve janë punuar nga arkitektë të njohur dhe të shquar, të cilët po kontribuojnë në një të ardhme më të ndritshme për kryeqytetin.

Samiti “Pakti i Qyteteve të Lira” bashkon qytete të mëdha nga të gjitha pjesët e botës, duke përfshirë metropole si Athina, Barcelona, Berlini, Paris, Londra, dhe shumë të tjera. Ky rrjet ka si mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive që janë të domosdoshme për zhvillimin e qyteteve të hapura dhe të qëndrueshme.

Gjatë këtij samiti, janë zhvilluar disa panele diskutimi mbi tema të ndryshme, si siguria e qyteteve në kohë krize, qëndrueshmëria e qyteteve dhe migracioni. Kryetarët e bashkive pjesëmarrëse kanë ndarë përvojat dhe sfidat me të cilat përballen qytetet e tyre, duke u fokusuar në mundësitë për të përmirësuar jetën urbane dhe për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: