Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje diasporës shqiptare të regjistrohet në Regjistrin e Zgjedhësve të Jashtëm (PER) dhe të bëhen pjesë e procesit zgjedhor në 11 maj.
Rama, duke folur nga selia e Partisë Socialiste, theksoi se ky është një hap historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë shqiptarët jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë me postë.
“11 maji do të jetë një votim historik, sepse për herë të parë shqiptarët do të votojnë nga vendet ku jetojnë, duke përdorur postën. Kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë, duhet të regjistrohet deri më 4 mars”, tha Rama. Ai shtoi se procesi i dërgimit të fletëve të votimit nëpërmjet postës kërkon kohë dhe apeloi që diasporës të mos e lërë regjistrimin për ditën e fundit, kur mund të hasen vështirësi teknike në sistemin e KQZ-së.
Rama theksoi se deri tani numri i shqiptarëve të regjistruar në PER është premtues, por shtoi se ai mund dhe duhet të jetë më i madh. Ai kërkoi që çdo shqiptar jashtë vendit të bëjë pjesë të këtij procesi, duke theksuar se çdo votë ka rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë. “Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen,” theksoi ai.
Kryeministri shprehu besimin se ky është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, duke e renditur këtë votim si një mundësi për të larguar paraprakisht paragjykimet ndaj vendit dhe për të forcuar respektin ndërkombëtar. Rama e lidhi këtë moment me synimet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se në mandatin e katërt, Shqipëria do të hedhë hapin përfundimtar drejt BE-së.
Në përfundim, ai apeloi që shqiptarët në diasporë të mos e lënë regjistrimin për momentet e fundit, pasi mund të shkaktohen vonesa dhe vështirësi teknike, duke e bërë më të ndërlikuar procesin e votimit.