Rama: Teatri i ri Kombëtar synon të jetë ndër më të bukurit në Ballkan dhe Europë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin dhe një nga teatrot më të bukur në Europë, duke theksuar se projekti synon të ofrojë një infrastrukturë bashkëkohore për artin skenik.

Gjatë podcast-it “Flasim”, kreu i qeverisë u shpreh se rëndësia kryesore e këtij investimi qëndron te cilësia arkitekturore dhe infrastrukturore e objektit, ndërsa përmbajtja artistike dhe funksionimi i tij do t’i takojnë komunitetit të artistëve. Rama theksoi se teatri do të jetë i aftë të mikpresë trupa të huaja, artistë nga hapësirat shqipfolëse dhe aktivitete të ndryshme kulturore, falë kushteve teknike që do të ofrojë.

Kryeministri u ndal edhe te sfidat e menaxhimit të institucioneve kulturore, duke vënë në dukje se vendi ende nuk ka kapacitete të konsoliduara për të garantuar një menaxhim në nivelin e infrastrukturës që po ndërtohet. Sipas tij, kjo mbetet një pikëpyetje e rëndësishme për suksesin afatgjatë të investimeve në kulturë.

Në këtë kuadër, Rama përmendi edhe projekte të tjera kulturore që po zhvillohen paralelisht, si ndërtimi i Galerisë së re Kombëtare, transformimi i Muzeut Kombëtar, si dhe krijimi i disa muzeve të rinj në Tiranë. Ai përmendi gjithashtu projektet për Muzeun e Historisë së Hebrenjve në Vlorë, Muzeun “Besa” në Tiranë dhe Muzeun e Artit Islamik.

Sipas kryeministrit, sfida kryesore për të gjitha këto investime mbetet garantimi i një menaxhimi që të jetë në përputhje me nivelin e arkitekturës dhe infrastrukturës së re kulturore që po ndërtohet në vend.

Ndaj Postimin: