Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra nga prokurori i Hagës, Matt Halling, gjatë seancës gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë “idiot ndërkombëtar”.
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratës së prokurorit, sipas së cilës ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se Hashim Thaçi kishte “maskuar realitetin” e luftës në Kosovë, duke ndikuar në perceptimin e tyre për funksionimin e UÇK-së.
Rama ka publikuar pamje nga seanca, ku prokurori deklaron se figura ndërkombëtare si James Rubin dhe Wesley Clark, sipas tij, nuk kishin interes të kuptonin realitetin në terren dhe besonin se ndodheshin “në anën e duhur të historisë”. Prokurori shtoi se strukturat e UÇK-së ishin të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësi eprore sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, edhe pa një zinxhir komandimi të krahasueshëm me atë të NATO-s apo ushtrisë amerikane.
Në reagimin e tij, Rama përdori gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, duke deklaruar se i duhet kohë “ta gëlltisë atë mal me m*t që nxori ajo prokurori në zemër të Europës”.
Deklaratat vijnë një ditë pasi Prokuroria e Hagës kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndodhet në fazën e deklaratave përmbyllëse. Ekipi i akuzës ka ditët 9 dhe 10 shkurt për paraqitjen e qëndrimeve të tij, ndërsa mbrojtja pritet të nisë deklaratat nga 11 deri më 18 shkurt. Trupi gjykues do të ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin përfundimtar.